Një djalë 10 vjeçar dhe gjyshja e tij humbën sot jetën në Ukrainë nga një sulm rus me raketë. Kjo ndodhi një ditë pasi një sulm tjetër me raketë në rajonin e Kharkivit mori jetën e të paktën 52 civilëve, duke u bërë një nga sulmet më vdekjeprurëse të luftës gjatë muajve të fundit. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dërguar një ekip për të hetuar rastin. Moska hodhi poshtë akuzat se kishte ndërmarrë sulmin.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Volker Türk dërgoi një ekip në Ukrainë të premten për të hetuar sulmin ajror në rajonin e Kharkivit, që mori jetën e të paktën 52 njerëzve.
Një kafene dhe dyqan ushqimesh në fshatin Hroza u sulmuan me një raketë ndërsa njerëzit u mblodhën për të mbajtur zi për një ushtar të rënë ukrainas. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se ka të ngjarë që sulmi u krye nga Rusia, por është ende herët të konfirmohet një gjë e tillë.
Zëdhënësja e Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Elizabeth Throssell u tha gazetarëve në Gjenevë se shefi i saj “ka dërguar një ekip në terren për të folur me të mbijetuarit dhe për të mbledhur më shumë informacion”.
“Është e qartë se sulmi është një nga më vdekjeprurësit që nga 24 shkurti 2022. Para agresionit të Rusisë, fshati kishte rreth 300 banorë. Nuk është e qartë se sa banorë jetonin ende atje, por është e qartë se me numrin e madh të njerëzve të vrarë, të gjithë në këtë komunitet të vogël janë prekur nga sulmi”, thotë zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Elizabeth Throssell.
Tre ditë zie u shpallën në rajonin e Kharkivit pas sulmit.
Moska mohon të ketë sulmuar qëllimisht civilët, por shumë civilë janë vrarë në sulme të tjera ruse kur janë goditur zonat e banuara. Moska ka kryer sulme edhe mbi burimet ukrainase të energjisë, mbrojtjen, grurin dhe objektet të tjera me rëndësi jetike.
“E përsërisim se ushtria ruse nuk godet objektivat civile në Ukrainë. Sulmet vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake, përqendrimet e trupave dhe përfaqësuesit e udhëheqjes ushtarake të Ukrainës”, thotë zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov.
Zonja Throssell thotë se misioni i monitorimit të të drejtave të njeriut në Ukrainë ka identifikuar emrat e 35 personave që u vranë në sulm, duke përfshirë 19 gra, 15 burra dhe një djalë tetë vjeçar.
Sulmet ruse me raketa kanë vazhduar edhe të premten në rajonin e Khrarkivit duke vrarë një djalë 10-vjeçar dhe gjyshen e tij. Një zyrtar i lartë qeveritar tha se një fëmijë 11-muajsh dhe 27 persona të tjerë u plagosën.