Lidhje

Lirohet nga paraburgimi Milan Radoiçiç, i ndalohet hyrja në Kosovë


Një gjykatë në Beograd liroi të mërkurën nga paraburgimi ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, një ditë pas ndalimit të tij lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Në një njoftim të Gjykatës së Lartë në Beograd thuhet se atij “i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës”.

Po ashtu gjykata vendosi që Milan Radoiçiç të paraqitet në polici duy herë në muaj dhe i është konfiskuar përkohësisht pasaporta e Serbisë.

Ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, u ndalua të martën, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri.

Prokuroria e Lartë në Beograd tha se Milan Radoiçiç dyshohet se ai dhe disa persona tani për tani të panjohur, kanë kryer veprat penale të bashkimit me qëllim të kryerjes së veprave penale, prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Sipas prokurorisë në Beograd, Milan Radoiçiç akuzohet se ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese të fuqisë së madhe shkatërruese në Tuzlla të Bosnjës dhe Hercegovinës nga janari i viti 2023 deri më 24 shtator, të cilat i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit dhe të cilat më pas i transportonte dhe ruante në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, duke i fshehur në ndërtesa të braktisura dhe në pyje. Si udhëheqës i një grupi me disa persona të panjohur, me aksionin e përbashkët më 24 shtator, ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve në qytetin e Banjskës në Kosovë, thuhet në njoftimin e prokurorisë serbe, e cila dje kërkoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, tha se nuk është e befasuar me lirimin e Milan Radoiçiçit.

“Serbia asnjëherë nuk i ka dorëzuar kriminelët dhe nuk do të dorëzojë as terroristët”, tha ministrja Haxhiu. “Për ta thënë qartë, Serbia është strehë për kriminelët e luftës dhe terroristët që 10 ditë më parë kryen një sulm terrorist në territorin e Kosovës”, theksoi ajo.

Më 29 shtator Milan Radoiçiç mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer policie. Tre pjesëtarë të grupit të tij mbetën të vrarë pas përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën e 24 shtatorit.

Sulmi u cilësua si terrorist nga autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë të cilët kërkuan vënien e sulmuesve para drejtësisë. Prishtina akuzoi Beogradin për mbështetjen dhe pajisjen e grupit që kreu sulmin.

Milan Radoiçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara që nga dhjetori i vitit 2021, tha të premten në një deklaratë të transmetuar nga avokati i tij se “nuk e ka njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Serbisë, strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë prej tyre”, për sulmin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili mohoi lidhjet me grupin e armatosur, tha se organet përgjegjëse serbe do të ndërmarrin veprime ndaj Milan Radoiçiçit dhe do të hetojnë ngjarjet e 24 shtatorit, duke akuzuar Prishtinën zyrtare për nxitje të dhunës në veri.

Sulmi i 24 shtatorit është ngjarja më e rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

Të mërkurën autoritetet në Kosovë hapën njërin nga dy vendkalimin kufitare me Serbinë në veri, që po mbaheshin të mbyllur që nga sulmi i 24 shtatorit.

XS
SM
MD
LG