Dhoma e Përfaqësuesve votoi të martën për të lejuar një sfidë ndaj kryetarit republikan Kevin McCarthy, që vjen nga radhët e partisë së tij.
Ligjvënësit pritet të votojnë tashmë për mocionin e paraqitur të hënën nga ligjvënësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Matt Gaetz, i cili kërkon shkartimin e zotit McCarthy nga detyra.
Deri tani asnjë kryetar i Dhomës nuk është hequr nga posti.
“Po t’i numëroja rastet se sa herë dikush ka dashur të më shkarkojë, do isha larguar shumë kohë më parë”, u tha zoti McCarthy gazetarëve të martën në mëngjes.
Republikani i vijës së ashpër, Matt Gaetz, që përfaqëson një distrikt të Floridës, ka kërcënuar për muaj të tërë se do të përdorë një taktikë proceduriale, në përpjekje për të larguar zotin McCarthy nga detyra e kryetarit.
Kërcënimet u përshkallëzuan gjatë fundjavës pasi zoti McCarthy u mbështet tek votat e demokratëve, për të kaluar një masë ligjore atafshkurtër që siguron vazhdimin e financimit të qeverisë duke shmangur mbylljen e saj.
Gjatë një fjalimi përpara Dhomës së Përfaqësuesve, zoti Gaetz i kërkoi kryetarit McCarthy që të zbardhte detajet e asaj që ai e cilësoi marrëveshje të tij me Shtëpinë e Bardhë.
“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se për kë punon tashmë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve dhe ajo nuk është Partia Republikane”, tha zoti Gaetz në fjalimin e tij, disa orë përpara se të dorëzonte rezolutën.
Mocioni për shkarkim është një mjet i rrallë dhe i fortë procedural që është përdorur vetëm dy herë gjatë shekullit të kaluar kundër kryetarëve republikanë. Por vitet e fundit, konservatorët e kanë përdorur mocionin si një armë kundër udhëheqësve të tyre.
Në janar, zoti McCarthy, duke shpresuar të qetësonte disa ligjvënës republikanë të vijës së ashpër, ra dakord për një masë që u jep të drejtë pesë ligjvënësve të djathtë që të hapin procedurat për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit nëse zgjidhej. Për të siguruar votat e republikanëve për të marrë postin e kryetarit pas disa votimeve, zoti McCarthy ra dakord që mjaftonte mocioni nga një republikan për të nisur procedurat e shkarkimit.
Për largimin nga detyra të zotit McCarthy nevojitet një shumicë e thjeshtë e Dhomës së Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh. Republikanët e kontrollojnë atë me një shumicë prej 221 ligjvënësish, kundrejt 212 që kanë demokratët e opozitës. Humbja e më shumë se 6 votave në rradhët e republikanëve do t’i rrezikonte zotit Mccarthy postin.