Lidhje

Eksodi nga Nagorno-Karabaku në Armeni përfundon, ndërkohë që Azerbaixhani shtrin kontrollin mbi rajonin


Refugjatët armenë nga Nagorno Karabak në Armeni/AP
Refugjatët armenë nga Nagorno Karabak në Armeni/AP

Autobusi i fundit me armenët e Nagorno Karabakut u largua të hënën, duke e përmbyllur eksodin një javor të rreth 100,000 njerëzve – më shumë se 80 për qind e banorëve – pasi Azerbaixhani e mori këtë territor përmes një operacion të shpejtë ushtarak.

Autobusi që hyri në Armeni po transportonte 15 udhëtarë me sëmundje serioze dhe të paralizuar, sipas avokatit të popullit të Nagorno Karabakut, Gegnam Stepanyan.

Në një fushatë ushtarake 24-orëshe, që filloi më 19 shtator, ushtria e Azerbaixhanit i detyroi forcat armene të enklavës të dorëzoheshin dhe të shpërbëjnë qeverinë e tyre deri në fund të këtij viti.

Ndonëse Baku zyrtar u betua të respektojë të drejtat e armenëve në Nagorno Karabak, shumica ikën me nxitim nga frika se do të bëheshin objekt sulmesh, apo se do të humbisnin lirinë e gjuhës, liritë fetare dhe zakonet e tyre.

Qeveria armene njoftoi të hënën se 100,154 nga 120,000 banorë të rajonit kërkuan strehim në Armeni.

Ministri armen i Shëndetësisë Anahit Ayanesyan tha se disa nga të ardhurit kanë vdekur gjatë udhëtimit të lodhshëm dhe të ngadalshëm, që zgjati 40 orë orë, përgjatë rrugës së vetme malore që të çon në Armeni. Paraprakisht një bllokadë nëntë muajshe e imponuar nga Azerbaixhani shkaktoi uri dhe mungesë barnash në Nagorno Karabak.

Dyzetë vjeçari Sergey Astsetryan, njëri nga banorët e fundit që u largua nga Nagorno Karabak me makinën e tij të dielën, tha se disa të moshuar kanë vendosur të qëndrojnë prapa dhe tha se mund të ketë edhe të tjerë që mund kthehen nëse vlerësojnë se është e sigurtë për armenët të jetojnë nën sundimin e Azerbaixhanit.

“Babai më tha se do të kthehet kur të ketë mundësi,” u tha zoti Astsetryan gazetarëve pranë post-bllokut në kufirin armen.

Autoritetet e Azerbaixhanit e vunë me shpejtësi nën kontroll rajonin, duke arrestuar disa nga ish anëtarët e qeverisë së Nagorno Karabakut dhe duke inkurajuar azerbaixhanasit, që kishin ikur nga ky rajon para tre dekadash, të fillojnë të kthehen.

Rrugët e kryeqytetit Stepanakert, të cilin azerbaixhanasit e quajnë Khankendi, dukeshin të zbrazta dhe të mbushura me mbeturina, ndërsa dyert e dyqaneve të braktisura, ishin të hapura. Policia e Azerbaixhanit ka vënë post-blloqe në periferinë e qytetit.

Disa paqeruajtës rusë u panë në tarracën e një ndërtesë, ndërsa të tjerë në bazën e tyre jashtë qytetit.

Prokurorët e Azerbaixhanit lëshuan urdhër për arrestimin e ish udhëheqësit të Nagorno Karabakut, Arayik Harutyunyan, i cili drejtonte enklavën deri para se të dorëhiqej në fillim të shtatorit. Policia e Azerbaixhanit arrestoi të mërkurën njërin nga kryeministrat, Ruben Vardanyan në kohë kur po provonte të kalonte në Armeni.

“Do t’i japim fund konfliktit,” deklaroi të hënën Presidenti i Azerbaixhanit, Ilham Aliyev. “Mbrojtëm dinjitetin tonë, vendosëm drejtësinë dhe ligjin ndërkombëtar.”

Ai shtoi se “agjenda jonë është për paqe në Kaukaz, paqe në rajon, bashkëpunim, përfitime të përbashkëta. Sot e dëshmuam këtë gjë.”

Pas një lufte për t’u shkëputur në vitin 1994, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, që zgjati gjashtë vjet, Nagorno Karabaku kaloi nën kontrollin e armenëve vendas, që u mbështetën nga Armenia. Në vitin 2020, pas një lufte gjashtë javëshe, Azerbaixhani riktheu pushtetin në disa pjesë të enklavës, në jug të Maleve të Kaukazit, bashkë me një territor që forcat armene e kishin pushtuar më herët.

Autoritetet armene akuzuan paqeruajtësit rusë, të cilët u vendosën në Nagorno Karabah pas luftës së vitit 2020, se qëndruan duarkryq dhe dështuan ta ndalnin përparimin e Azebaixhanit. Akuzat u hodhën poshtë nga Moska, sipas të cilës forcat ruse nuk kishin mandat të ndërhynin.

Akuzat e ndërsjella kanë përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet Armenisë dhe aleates së saj tradicionale, Rusisë, e cila e ka akuzuar qeverinë armene se po anon nga perëndimi.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha të enjten se eksodi i armenëve nga Nagorno Karabak ishte shembull i “spastrimit etnik, që u mohon njerëzve atdheun e tyre.”

Ministria e jashtme e Azerbaixhanit i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Pashinyan, duke thënë se largimi i tyre “ishte vendim personal dhe individual dhe nuk ka të bëjë aspak me zhvendosjen me forcë.”

Një delegacion i Kombeve të Bashkuara arriti të dielën në Nagorno Karabak për të përcjellë situatën. Misioni i OKB-së është i pari në këtë enklavë në tre dekadat e fundit, për shkak të “situatës shumë të ndërlikuar dhe të ndjeshme gjeopolitike”, sipas zëdhënësit të OKB-së, Stephane Dujarric.

Zyrtarët e Nagorno Karabakut e cilësuan vizitën si një formalitet. Zëdhënësi i shërbimeve urgjente në Nagorno Karabak, Hunan Tadevosyan tha se përfaqësuesit e OKB-së erdhën shumë vonë dhe se civilët e mbetur në Stepanakert mund “të numërohen me gishtat e një dore.”

“Ecëm nëpër qytet, por nuk gjetëm njeri. Nuk ka mbetur askush nga popullata e përgjithshme,” tha ai.

XS
SM
MD
LG