Lidhje

Ukrainë, forumi i industrisë së mbrojtjes synon rritjen e prodhimit të armëve për luftën


Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy

Ukraina, organizatore e konferencës ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes, po përpiqet të shtojë prodhimin e armëve brenda vendit për të luftuar agresionin rus dhe ulur varësinë nga furnizimet e huaja me armë.

Forumi i industrisë së mbrojtjes më parë ishte i përqendruar tek dërgimi i armëve, riparimi i pajisjeve të dëmtuara dhe trajnimi i ushtarëve ukrainas.

Duke folur në hapje të Forumit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se rreth 250 kompani të industrisë së mbrojtjes nga më shumë se 30 vende ishin mbledhur në Kiev. Në takim morën pjesë edhe ministra të mbrojtjes dhe përfaqësues të disa vendeve.

“Heroizmi nuk mund t’i eleminojë raketat. Ukraina ka nevojë për aftësi, cilësi të lartë, sasi të madhe dhe shpejt. Nuk ka mbrojtje pa industri”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili foli në forum përmes një lidhjeje me video, një ditë pas vizitës së tij në Kiev. Në forum mori pjesë edhe një përfaqësuese e posaçme e aleancës për investimet e mbrojtjes.

Zoti Stoltenberg tha se kontributi me armatime i vendeve aleate ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e Ukrainës. Ai tha se aktualisht duhet rritur prodhimi i armatimeve për të përmbushur nevojat e Ukrainës dhe vendeve të tjera aleate.

Presidenti Zelenskyy tha se gjatë qëndrimit në Uashington ai kishte biseduar me Presidentin Biden lidhur me “krijimin e një ekosistemi të ri industrial që do të forcojë Ukrainën dhe të gjithë partnerët”. Presidenti ukrainas e cilësoi atë si një rezultatet kryesore të bisedimeve me Presidentin Biden në Uashington.

XS
SM
MD
LG