Lidhje

Dialogu Kosovë-Serbi, Rama: Formati i Brukselit nuk ka çfarë të ofrojë më


Kryeministri shqiptar Edi Rama duke folur për zhvillimet në Kosovë
Kryeministri shqiptar Edi Rama duke folur për zhvillimet në Kosovë

Në Tiranë kryeministri Edi Rama deklaroi sot se formati i dialogut të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, ku Bashkimi Evropian përfaqësohet me shefin e tij të diplomacisë Josep Borrel, dhe të dërguarin për dialogun Miroslav Lajçak, nuk ka çfarë të ofrojë më. “Minimalisht formati i derisotëm i Brukselit, ku “venë e vijnë” dy burra nga këtej dhe “hyjnë e dalin” dy burra atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë”u shpreh ai gjatë një konferencë të posaçme për shtyp, mbi situatën e krijuar në Kosovë.

Kryeministri Rama përsëriti idenë e “një konference për normalizimin me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve të pandërprera. Ndërsa përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog, duhej ngritur dhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë në nivelin e Presidentit dhe të Kancelarit, si bashkëautore të këtij plani”.

Zoti Rama tha se diçka e tillë duhet të bëhej pa vonesë, duke shprehur shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të situatës deri në një konflikt të armatosur. “Pikërisht për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”, u shpreh ai duke shtuar se “çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi”.

Pak muaj më parë ai vetë e konsideronte një version të tillë humbje të kontrollit dhe formal mbi tërë territorin nga autoritetet e Kosovës. Në një postim në rjjetet sociale më 19 qershor, ndërsa shruante për nevojën e çtensionimit të situatës në Veriun e Kosovës, ai theksonte se “Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës!”.

I pyetur nga gazetarët për këtë qëndrim kontradiktor, zoti Rama tha se “Nuk jemi akoma aty, por mund të shkojmë aty”, pa dhënë shpjegime të mëtejshme

Kryeministri shqiptar, deklaroi se KFOR-in në veri e kërkonte dhe Kosova, por në fakt, nuk rezulton të ketë pasur një kërkesë të tillë nga Prishtina, përveçse që KFOR-i të rrisë mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Madje deklarata e tij ka nxitur dhe reagimet e para. Dejona Mihali, anëtare e kryesisë së partisë Vetvendosja, të kryeministrit Albin Kurti shkruajti në Facebook se “Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e kërkon vetëm Serbia”.

Dy ditë më parë, pas një takimi me ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Italisë e Gjermanisë, president serb Aleksandar Vuçiç shkroi në rrjetet sociale se ka kërkuar nga diplomatët që “KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së (Albin) Kurtit”.

Por më parë, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke e dënuar sulmin e grupeve të armatosura serbe ndaj njësive të policisë së Kosovës, ishte shprehur se “policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për të siguruar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës”.

XS
SM
MD
LG