Lidhje

Ushtari amerikan që u fut me vrap në Korenë e Veriut tashmë në duart e autoriteteve amerikane


Shtetet e Bashkuara kanë siguruar lirimin e ushtarit amerikan (Travis King) i cili u fut në Korenë e Veriut më shumë se dy muaj më parë njoftuan zyrtarët amerikanë të mërkurën duke shtuar se ai është rrugës për në SHBA. Aleati i SHBA-së, Suedia dhe rivalja e Kinës ndihmuan në daljen e ushtarit nga territori i Koresë së Veriut.

Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje se pse Pheniani, që ka marrëdhënie të tensionuara me Uashingtonin lidhur me programin bërthamor të tij, mbështetjen që Koreja e Veriut i jep luftës së Rusisë në Ukrainë apo edhe çështje të tjera, kishte rënë dakord ta dorëzonte ushtarin. Po kështu pa përgjigje kanë mbetur edhe arsyet se pse zoti King kaloi kufirin më 18 korrik.

Koreja e Veriut njoftoi papritur të mërkurën se do të dëbonte ushtarin Travis King edhe disa prisnin që Pheniani ta zvarriste mbatjen e tij në paraburgim me shpresën për të siguruar lëshime nga Uashingtoni, në një kohë tensionesh të larta mes dy vendeve.

Zyrtarët amerikanë kanë siguruar kthimin e ushtarit Travis King nga Republika Popullore Demokratike e Koresë”, tha në një deklaratë Këshilltari i Sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. "Ne e vlerësojmë përkushtimin e ekipit ndërinstitucional që ka punuar pa u lodhur për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen e tij”.

Zyrtarët thanë se nuk e dinin saktësisht se pse Koreja e Veriut kishte vendosur ta dëbonte atë, por dyshojnë se Pheniani mund të mos e kishte konsideruar të rëndësishëm atë, në aspektin e sigurimit të informacioneve apo përdorimit të tij në shkëmbim të diçkaje tjetër duke qenë se ishte një ushtar i rangut të ulët. Një zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se koreano-veriorët mund të kishin dalë në përfundimin se 23 vjeçari King, përbënte më shumë vështirësi për ta mbajtur sesa për ta liruar.

Zyrtarët suedezë e çuan e çuan zotin King në kufirin kinez, ku u prit nga ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns, ambasadori suedez në Kinë dhe të paktën një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Zyrtarët e administratës Biden këmbëngulën se nuk i kishin bërë asnjë lëshim Koresë së Veriut për të siguruar lirimin e ushtarit.

“Falënderojmë qeverinë e Suedisë për rolin e saj diplomatik e që shërben si fuqi mbrojtëse për Shtetet e Bashkuara në Korenë e Veriut si dhe qeverinë e Republikës Popullore të Kinës për ndihmën e saj në lehtësimin e transferimit të ushtarit King”, shtoi zoti Sullivan.

Zoti King ishte dërguar në një bazë ushtarake amerikane në Korenë e Jugut e më pas ishte nisur drejt SHBA-ve.

Dëbimi i tij nga Koreja e Veriut ka shumë gjasa të mos i japë fund problemeve të tij e nuk garanton kthimin e lumtur të zotit King në atdhe siç ka ndodhur në rastet e lirimit të shtetasve të tjerë amerikanë nga Pheniani. Ushtria e ka konsideruar mungesën e tij të pajustifikuar, çka që mund të nënkuptojë dënim me burg ushtarak të tij, apo shkarkimin nga shërbimi ushtarak për sjellje të dënueshme.

Zoti King ishte në mesin e rreth 28,000 trupave amerikane të vendosura në Korenë e Jugut me qëllimin për të parandaluar një agresion të mundshëm të Koresë së Veriut. Zyrtarët amerikanë shprehën shqetësim mbi gjendjen e ushtarit, për shkak të keqtrajtimit që Pheniani u ka bërë disa të burgosurve amerikanë në të kaluarën.

Kalimet e paautorizuara në atë që njihet si zona e çmilitarizuar që ndan dy Koretë, janë jashtëzakonisht të rralla. Ata pak amerikanë që kanë kaluar në Korenë e Veriut në të shkuarën, kanë qenë ushtarë, misionarë, aktivistë të të drejtave të njeriut ose ata thjesht kureshtarë që kanë dashur të shohin se si jetojnë shoqëritë më të mbyllura të botës.

XS
SM
MD
LG