Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, tha të martën se përshkallëzimi i dhunës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës ku një grup serbësh të armatosur vrau një oficer të policisë është “një ngjarje tragjike”, ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e procesit politik të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Ishte një ngjarje tragjike dhe ne të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës. Gjithmonë është për keqardhje humbja e jetëve, por mendoj se e është e rëndësishme që të vazhdojmë me procesin politik. Mendoj se po zhvillohen procese për të nxitur më tej dialogun”, tha ambasadori Hill gjatë një debati ne Beograd.
Ai i bëri këto komente pas takimit të ambasadorëve të vendeve kryesore perëndimore me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në të cilin është diskutuar për situatën në Kosovë pas ngjarjeve të së dielës.
Ambasadori amerikan nuk deshi të jap më shumë hollësi për diskutimet por nënvizoi se angazhimi diplomatik duhet të “forcohet” në ditët dhe javët në vijim.
Presidenti serb shkroi në rrjetet sociale se gjatë takimit me diplomatët perëndimorë kërkoi që forcat e drejtuara nga NATO-ja “të kujdesen për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës, në vend të policisë së Albin Kurtit”.
Të dielën ai tha se sulmuesit ishin serbë të Kosovës që “nuk mund të duronin me terrorin e (kryeministrit të Kosovës) Albin Kurti”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të martën se grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u mblodhën “spontanisht për të shprehur shqetësimet e tyre".
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të ndriçohet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha ambasadori Hovenier pas një takimi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Të dielën në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, një grup personash të maskuar dhe me uniforma ushtarake sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër.
Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë. Kryeministri Kurti tha se grupi i armatosur kishte mbështetjen e autoriteteve në Serbi. Presidenti serb ka mohuar çfarëdo lidhjeje me grupin, ndërsa qeveria e tij shpalli të mërkurën ditë zie në kujtim të tre të vrarëve në Kosovë. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi shpalli tre ditë zie në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në kujtim të të vrarëve.
Autoritetet në Prishtinë thanë se vendimet e tilla janë “vulosje e autorësisë së këtij organizimi”.