Lidhje

Begu: Sektori i inovacionit ka rritje organike, por i mungon “infuzioni institucional”


Uranik Begu, Anëtar bordi i Qendrës për Inovacion të Kosovës
Uranik Begu, Anëtar bordi i Qendrës për Inovacion të Kosovës

Këto ditë, në Uashington, është mbajtur një konferencë e Projektit të Studimeve Speciale Konkurruese, organizatë me bazë në Uashington, që ka mbledhur udhëheqës të institucioneve amerikane, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kombëtare dhe përfaqësues të sektorit privat për të diskutuar zhvillimet më të reja në fushën e inovacionit teknologjik dhe ndikimin e tij në aspektin gjeopolitik dhe në proceset demokratike. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe zoti Uranik Begu, anëtar bordi i Qendrës për Inovacion të Kosovës. Me zotin Begu bisedoi kolegia Garentina Kraja.

Begu: Sektori i inovacionit ka rritje, por i mungon “infuzioni institucional”
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:42 0:00


Zëri i Amerikës: Zoti Begu, këto ditë po qëndroni në Uashington, i ftuar në samitin global të Projektit të Studimeve Speciale Konkurruese, ku diskutuat mbi rëndësinë e nxitjes së inovacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rolin e shoqërisë civile në këtë aspekt. Cilat janë mundësitë dhe sfidat, sipas jush?

Uranik Begu: Samiti është kurorëzimi i punës së vazhdueshme që bën ky projekt, i udhëhequr nga Ylli Bajraktari – Special Competitive Studies Project – ku mbi të gjitha potencohet roli i zhvillimit teknologjik në fuqizimin e demokracive, fuqizimin ekonomik, në veçanti të partnerëve të Shteteve të Bashkuara. Jemi dëshmitarë të një zhvillimi mjaft të shpejtë dhe dinamik në fushën e teknologjisë, përfshirë këtu jo vetëm inteligjencën artificiale, por edhe fusha të tjera. Sigurisht, lufta në Ukrainë ka përshpejtuar nevojën për zhvillime sa më të shpejta teknologjike, po ashtu në fushën e sigurisë nacionale, dhe jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe vendeve partnere të Amerikës, në këtë rast. Kurse prania ime besoj që ishte e rëndësisë së veçantë, jo vetëm për shkak se në të njëjtën kohë Kosova dhe rajoni mbesin si një pikë interesi strategjik edhe për vet partnerët tanë, por edhe për të ardhmen që ne synojmë së bashku ta kemi sa më të mirë dhe sa më të sigurt.

Zëri i Amerikës: Për një dekadë ju keni udhëhequr Qendrën për Inovacion të Kosovës, e cila ka shërbyer shpeshherë si platformë për nisma inovative, që janë shndërruar në ndërmarrje përfituese. Kosova, Shqipëria, a janë konkurrente në këtë fushë dhe si krahasohen ato me vendet tjera të rajonit?

Uranik Begu: Përtej tranzicionit që kemi pasur, qoftë sistemit politik të viteve të 90-ta, por edhe këtij të fundit pas luftës, si një demokraci në tranzicion, po besoj që në veçanti Kosova ka dështuar të profilizojë veten në aspektin ekonomik. Edhe sot nuk shquhemi për një sektor prioritar, i cili e portretizon Kosovën si një vend të mundësive në një fushë apo sektor të caktuar. Andaj, kur ka filluar Qendra e Inovacionit të Kosovës në atë kohë, fokusi ka qenë për të pasur një vlerë të caktuar, ku të rinjtë dhe të rejat synojnë dhe fuqizohen për rrugëtimin e tyre për të qenë sipërmarrës të suksesshëm. Dhe besoj që misioni i kësaj qendre ishte pikërisht kjo, që ne përmes shërbimeve dhe ofertës që jemi munduar ta krijojmë si fondacion, thjesht ta nxisim një gjak të ri në ekonominë tonë, e cila fatkeqësisht edhe sot, nuk është se ka një performansë aq të mirë. Përgjatë këtyre viteve, me shumë krenari mund të themi se kemi përkrahë mbi 500 biznese për t’u themeluar në Kosovë, kryesisht në fushën e teknologjisë. Ndoshta kjo ishte rezultat i shpirtit ndërmarrës dhe moshës së re që kemi në Kosovë, mirëpo edhe për shkak të nevojës globale me shërbime në fushën e digjitalizimit dhe aspekteve të tjera teknologjike.

Po besoj aty ku kemi ecur mirë është ndërlidhja me tregun global. Kjo falë edhe diasporës. Shumë të rinj dhe të reja dhe ndërmarrës që kanë bazë biznes apo kanë kontakte si në Shtete të Bashkuara, ashtu edhe në Evropë, kanë arritur që mjaft mirë ta shfrytëzojnë talentin që është si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, për të krijuar biznese dhe për të ofruar shërbime jashtë vendit. Dhe kjo është një prej mundësive që, sigurisht, po tregohet e suksesshme, mirëpo edhe e qëndrueshme në aspektin afatgjatë. Po ashtu për cka mund të jemi mjaft krenar dhe qëndrojmë mjaft mirë karshi rajonit, por edhe shumë vendeve të Bashkimit Evropian, është gjithpërfshirja e vajzave dhe grave dhe zhvillimin e tyre profesional në fushën e teknologjisë. Shifrat dhe vet pjesëmarrja e tyre është mjaft inkurajuese; me mjaft sukses ato kanë arritur të ndërtojnë biznese, të cilat globalisht po lënë shenjë.

Zëri i Amerikës: Shpeshherë keni qenë kritik për mungesën e vëmendjes që institucionet i kanë kushtuar aspektit inovativ, nismave inovative. A mund të na tregoni se cilat janë problemet akute dhe si janë përgjigjur institucionet ndaj tyre?

Uranik Begu: Po, dhe ndoshta jo aq sa do të duhej të jem kritik. Është evidente që ky sektor, sektori i IT-së (teknologjisë informative) apo edhe vet fusha e inovacionit është ngritur pothuajse falë ndihmës së vet donatorëve, por edhe bizneseve që kanë qenë në fushën e IT-së. Do të thotë, është një rritje organike, po e quaj, pa një infuzion institucional, i cili është më se i domosdoshëm. Dhe besoj që kjo është një pasqyrë e gjithë rajonit. Fondet kryesore, edhe të Qendrës, edhe të organizatave të tjera që merren me këtë fushë, kryesisht janë nga donatorët dhe si të tillë jemi dëshmitarë që pas zhvillimeve të fundit, qoftë me COVID apo edhe luftës në Ukrainë, këto fonde po pakësohen. Tash shtrohet pyetja se si do të arrijmë ne që ta ruajmë këtë nivel të zhvillimit dhe ta rrisim këtë në nivele që do të kemi nevojë, për shkak të zhvillimeve të hovshme globale. Nuk kemi pasur fat edhe me po e quaj qeverisje, për shkak se Kosova, siç dihet ka pasur rreth 7-8 palë zgjedhje në këtë dhjetëvjeçarin e fundit dhe sigurisht memoria institucionale, por edhe vullneti politik herë-herë nuk kanë qenë në nivelin që ky sektor me të vërtetë të shndërrohet në një sektor, i cili do të jetë bartës i zhvillimit jo vetëm ekonomik, por edhe zhvillimit të përgjithshëm social. Teknologjia në bazën e vet e ka ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe vetëm kur ta kuptojmë si të tillë dhe mundohemi që përmes teknologjisë t’i zgjidhim problemet tona ditore për shoqërinë tonë, qoftë shëndetësinë, qoftë në arsim dhe aspekte të tjera të lidhen me shoqërinë, atëherë do të arrijmë që me të vërtetë të krijojmë produkte dhe shërbime, të cilat zgjidhin problemet tona fillimisht si qytetarë të Kosovës, Shqipërisë e vendeve tjera, por njëkohësisht ato produkte pastaj të synojmë t’i plasojmë edhe si zgjidhje në vendet tjera të botës dhe të synojmë suksesin global.

XS
SM
MD
LG