Lidhje

Senatori Menendez nën akuza për ryshfet mbi një çështje të lidhur me Egjiptin


Senatori demokrat nga Nju Xhersi Robert Menendez dhe bashkëshortja e tij Nadine Menendez, janë akuzuar nga prokuroria e Manhatanit për marrje ryshfeti.

Aktakuza lidhet me marrëdhëniet e dyshuara korruptive, me tre biznesmenë nga Nju Xhersi, thanë prokurorët federalë të premten.

Sipas zyrës së Prokurorit të Manhatanit, senatori dhe bashkëshortja e tij, akuzohen se kishin pranuar me mijëra dollarë në formë ryshfeti, në këmbim të përdorimit të pushtetit dhe ndikimit të zotit Menendez si senator, për t’u ofruar mbrojtje, si dhe përfitime biznesmenëve dhe qeverisë së Egjiptit.

Prokurorët thonë se ata kanë marrë para, kallëpë ari, pagesa për një kredi për shtëpi, kompensime monetare punë minimale, një automjet luksoz dhe sende të tjera me vlerë.

Një një komunikim të shkurtër për mediat prokurori federal Damian Williams tha se hetimet ende vazhdojnë.

"Nuk kemi përfunduar ende dhe ndaj dua të inkurajoj këdo që ka informacione që t’i ofrojë ato sa më parë", tha para gazetarëve prokurori Williams.

Zoti Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëshortja e tij Nadine, me të cilën senatori u martua në viti 2020, përballen me nga tre akuza penale secili.

Zyra e senatorit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi çështjen.

Zoti Menendez pritet të rikandidojë për postin e senatorit vitit e ardhshëm, por çështja e ngritur ndaj tij mund t’i komplikojë përpjekjet e demokratëve për të zgjeruar shumicën e tyre të brishtë në Senat, të përbërë nga 100 anëtarë.

Aktualisht demokratët kanë 51 senatorë ndërsa republikanët 49.

Prokurorët po kërkojnë t’i konfiskojnë zoti Menendez, pasuritë, përfshirë shtëpinë e tij në Nju Xhersi, një makinë Mercedes-Benz të vitit 2019, rreth 566,000 dollarë në para të thata, kallëpë ari, si dhe paratë që ai ka në një llogari bankare.

Prokuroria ngriti padi edhe ndaj biznesmenëve Wael Hana, Jose Uribe dhe Fred Daibes, si pjesë e së njëjtës skemë.

Prokurorët thanë se zoti Hana, me origjinë nga Egjipti, ka organizuar në vitin 2018, darka dhe takime mes zotit Menendez dhe zyrtarëve egjiptianë, gjatë të cilave zyrtarët e nxitën zotin Menendez t’u sigurojë informacione mbi çështjen e ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Egjiptin.

Në këmbim, sipas prokurorëve, zoti Hana futi Nadine Menendez në listën e pagave të punonjësve të kompanisë së tij.

Në atë kohë Egjipti ishte një nga përfituesit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake amerikane, por në vitin 2017 Departamenti i Shtetit bllokoi 195 milionë dollarë si dhe anuloi 65.7 milionë dollarë shtesë, derisa vendi të demonstronte se kishte shënuar përparim në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Në një takim në vitin 2018 zoti Menendez i dha zotit Hana informacione të ndjeshme dhe jopublike, lidhur me statusin e ndihmës, thonë prokurorët. Sipas aktakuzës, zoti Hana më pas i dërgoi një mesazh një zyrtari egjiptian duke e njoftuar atë se "pengesat për dërgimin e armëve e vogla dhe municioneve në Egjiptin, ishin hequr".

Po sipas prokurorëve, në vitin 2019, qeveria e Egjiptit i dha një prej kompanive të zotit Hana, një licencë ekskluzive për të certifikuar eksportet e ushqimeve ‘hallall’ nga Shtetet e Bashkuara në Egjipt, pavarësisht mungesës së përvojës në këtë proces çertifikimi. Zoti Hana përdori të ardhurat nga eksportet për të financuar pagesat në formë ryshfeto për çiftin Menendez.

Ambasada egjiptiane në Uashington nuk i është përgjigjur deri në momentin e këtij shkrimi kërkesave për koment.

Zoti Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ishte akuzuar edhe më parë në Nju Xhersi për përfitime në formën e udhëtimeve private me avion, kontribute për fushatën, e ryshfete të tjera nga një mbështetës i tij i pasur, në këmbim të favoreve zyrtare. Por në vitin 2017, gjyqi ndaj tij përfundoi pa vendim, pasi juria nuk arriti të binte dakort nëse ai ishte, ose jo i fajshëm.

Në vitin 2018 prokurorët hoqën dorë nga ky rast, për të cilin vetë zoti Menendez ishte deklaruar i pafajshëm.

Më vonë atë vit, zoti Menendez u rizgjodh për mandatin e tij të tretë në Senat, ku ishte zgjedhur për herë të parë në 2006.

XS
SM
MD
LG