Në një takim me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, prej 325 milionë dollarësh. Presidenti Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
"Zoti President, ne jemi me ju, do të vazhdojmë mbështetjen tonë për ju", tha Presidenti Biden në Shtëpinë e Bardhë duke u ngritur për t'i shtënguar dorën zotit Zelenskyy matanë tryezës, pas dy orësh bisedimesh.
“Falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Biden, për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën. Një ndihmë shumë e fuqishme. Shume faleminderit”, tha zoti Zelenskyy në përgjigje të njoftimit për ndihmën e re ushtarake.
Ndihma e re amerikane nuk përfshinë raketat me rreze të gjatë veprimi, të cilat Ukraina i ka kërkuar prej kohësh, për ta ndihmuar atë në përballjen me sulmet ruse me dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.
"Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë Ukrainën që të ndërtojë një forcë të aftë për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës, të aftë për të frenuar kërcënimet e ardhshme kundër sovranitetit, integritetit territorial dhe lirisë. Amerika nuk mund të heqë dorë nga ky angazhim", tha presidenti Biden.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se ai beson se Kongresi do marrë një "vendim të drejtë" lidhur me kërkesën e tij për më shumë fonde për Ukrainën.
Komentet e Presidentit Biden lidhur me gatishmërinë e Kongresit për të rritur ndihmën për Ukrainën pasuan njoftimet se Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, nuk e kishte pranuar kërkesën e Presidentit Zelenskyy për të mbajtur një fjalim para dy Dhomave të Kongresit amerikan. Ligjvënësi McCarthy e justifikoi vendimin e tij duke thënë se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të organizuar një gjë të tillë dhe negociatat për miratimin e buxhetit.
Presidenti Zelenskyy ka zhvilluar një numër takimesh të enjten në Uashington, duke përfshirë takime me ligjvënës në Kapitol dhe me Sekretarin e Mbrojtjes në Pentagon, në përpjekje për forcuar mbështetjen për më shumë ndihmë për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.
Kjo është vizita e dytë e Presidentit Zelenskyy në Uashington që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe vjen pasi kërkesa e Presidentit Biden drejtuar Kongresit për 24 miliardë dollarë shtesë për nevojat ushtarake dhe humanitare të Ukrainës nuk është miratuar ende.
Ndërkohë në Ukrainë, Rusia nisi sulmet e saj më të rënda në një muaj në orët para mbërritjes së zotit Zelenskyy në Kongres, në të cilat u vranë tre njerëz. Në shënjestër të sulmeve ruse me raketa dhe artileri ishte infrastruktura energjetike në shumë qytete në të gjithë Ukrainën.
Takimet e Presidentit Zelenskyy me ligjvënësit amerikanë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje të enjten ligjvënësve amerikanë për mbështetje të vazhdueshme të përpjekjeve të vendit të tij ndaj Rusisë, mes pikëpyetjesh të ngritura nga republikanët nëse Kongresi duhet të miratojë një raund të ri ndihme për vendin e tij, pavarësisht një përparimi të ngadaltë kundër pushtuesve rusë.
Zoti Zelenskiy udhëtoi drejt Uashingtonit pasi u përpoq të siguronte mbështetje ndërkombëtare në Kombet e Bashkuara.
Ndërsa kundërofensiva ushtarake e Ukrainës vazhdon dhe Kongresi është përfshirë nga debatet mbi buxhetin duke nxitur shqetësimet për një mbyllje të mundshme të qeverisë, një numër në rritje i republikanëve kanë ngritur pikëpyetje rreth miliarda dollarëve që Uashingtoni i ka dërguar Kievit për nevoja ushtarake, ekonomike dhe humanitare.
Gjatë një seance me dyer të mbyllura të Senatit, zoti Zelenskyy informoi senatorët amerikanë mbi zhvillimet e fundit në vendin e tij, fjalim që ishte shoqëruar me ovacione, sipas një postimi në platformën X të senatorit Chris Murphy.
"Ne zhvilluam një dialog të shkëlqyer", u tha zoti Zelenskyy gazetarëve në Kapitol pas takimit.
Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer tha se gjatë takimit me dyer të mbyllura zoti Zelenskiy u kishte thënë senatorëve se ndihma ushtarake ishte thelbësore për përpjekjet luftarake të Ukrainës.
"Nëse nuk marrim ndihmën, do ta humbasim luftën", kishte thënë zoti Zelensky sipas zotit Schumer.
Në Pentagon, zoti Zelenskyy u mirëprit nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe vizitoi gjithashtu memorialin që kujton sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth 113 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe sigurie për Ukrainën.
Të mërkurën Presidenti Zelenskyy kërkoi ndihmë financiare edhe nga disa prej miliarderëve më të njohur të Amerikës, që operojnë në fusha të tilla si financat, teknologjia dhe sportet.