Përfaqësues të rajonit të Nagorno-Karabakut dhe qeverisë së Azerbajxhanit u takuan të enjten për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit separatist. Pas një ofensive ushtarake këtë javë, Azerbajxhani pretendon se e kontrollon plotësisht këtë rajon.
Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Azerbajxhanit tha se bisedimet kishin përfunduar, por nuk dha detaje nëse ishte arritur një marrëveshje. Autoritetet e Nagorno-Karabakut dhe agjencia e lajmeve, thanë më herët se bisedimet mes udhëheqësve rajonalë dhe qeverisë së Azerbajxhanit, do të përqendroheshin në "riintegrimin" në Azerbajxhan, të Nagorno-Karabakut.
Bisedimet në qytetin e Azerbajxhanit, Yevlakh, u zhvilluan pasi forcat lokale armene në Nagorno-Karabak, ranë dakord për një armëpushim, pas dy ditë luftimesh këtë javë.
Autoritetet në rajonin etnik armen, që qeverisin pa njohje ndërkombëtare, deklaruan të mërkurën se forcat lokale të vetëmbrojtjes, do të çarmatosen dhe do të shpërbëhen, bazuar në një marrëveshje për armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev trumbetoi fitoren në një fjalim televiziv drejtuar kombit, duke thënë se ushtria e vendit të tij kishte rivendosur sovranitetin e saj në Nagorno-Karabak.
Të martën, ushtria e Azerbajxhanit sulmoi me artileri dhe dronë forcat pro-armene të cilat janë dobësuar nga një bllokadë e rajonit që njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
Avokati për të drejtat e njeriut i Nagorno-Karabakut, Gegham Stepanyan tha se gjatë luftimeve të fundit ishin vrarë të paktën 200 persona, mes tyre 10 civilë, ndërsa më shumë se 400 të tjerë ishin plagosur. Por shifrat nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Lëvizja e Azerbajxhanit për të rimarrë kontrollin e Nagorno-Karabakut ka nxitur shqetësime për rifillimin e një lufte në shkallë të gjerë mes këtij vendi dhe Armenisë, të përfshirë në mosmarrëveshje mbi Nagorno-Karabakun, që nga përfundimi i një lufte separatiste atje, në 1994.
Me kërkesë të Francës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent të enjten lidhur me ofensivën e Azerbajxhanit.
Të enjten Agjencia ruse e Lajmeve Interfax njoftoi se autoritetet e Nagorno-Karabakut kishin akuzuar Azerbajxhanin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, duke përmendur sulmet me armë në rajonin e diskutueshëm të Stepanakert-ut.
Agjencia e lajmeve e Azerbajxhanit njoftoi se Ministria e Mbrojtjes e e këtij vendi i kishte hedhur poshtë pretendimet për një sulm duke i cilësuar "plotësisht të rreme".