Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland u ul ballë për ballë kritikëve të tij më të fortë, teksa republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve shfrytëzuan një seancë dëgjimore për ta marrë atë në pyetje, lidhur me pretendimet se ai po përdor Departamentin e Drejtësisë për qëllime politike.
Kjo shënoi herën e parë në dy vjet që zoti Garland del përpara Komisionit të Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve. Seanca vjen në një moment të pashembullt për Departamentin e Drejtësisë, ndërsa drejton dy çështje të rëndësishme, njërën në ngarkim të ish-Presidentit Donald Trump dhe një tjetër kundër djalit të Presidentit Biden, Hunter Biden.
Republikanët në komision, të drejtuar nga Jim Jordan, njëherësh drejtues i Komisionit të Drejtësisë, ngritën akuza se Departamenti i Drejtësisë po mbron familjen Biden, duke vënë në qendër të hetimeve kundërshtarin e Presidentit Biden, ish-Presidentin Donald Trump.
“Një hetim po mbron presidentin Biden, një tjetër po sulmon Presidentin Trump”, tha zoti Jordan.
Zoti Garland mbrojti Departamentin e Drejtësisë, një agjenci me rreth 115,000 punonjës, në një kohë kur po shtohen kërcënimet politike dhe fizike ndaj agjentëve të këtij institucioni dhe familjarëve të tyre.
“Detyra jonë nuk është të marrim urdhra nga Presidenti, Kongresi, apo ndokush tjetër, se kë apo çfarë duhet të hetojmë”, tha prokurori i përgjithshëm.
Demokratët thanë se kanë në plan të veprojnë si “një lloj skuadre e së vërtetës” kundër “dezinformimit” nga republikanët dhe mbrojtjes nga ana e tyre të zotit Trump, që deri tani udhëheq garën brenda partisë së tij për të sfiduar zotin Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Ata thonë se demokratët po tentojnë të zhvendosin vëmendjen nga sfidat ligjore me të cilat përballet ish-presidenti dhe të vënë në qendër të vëmendjes, Presidentin Biden duke e parë atë nën një dritë negative.
“Do të përdor këtë mundësi për të vënë në dukje se sa e dëmton kjo sistemin e drejtësisë dhe se si edhe një herë republikanët janë të gatshëm të minojnë institucionet tona për të mbrojtur kandidatin e tyre për president”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff, për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Dëshmia e zotit Garland vjen vetëm një javë pasi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy njoftoi nisjen e një hetimi, për të përcaktuar nëse ka bazë për ngritjen e akuzave për shkarkim të Presidentit Joe Biden, ku vëmendje e veçantë do i kushtohet veprimeve të Departamentit të Drejtësisë mbi çështjen ndaj zotit Hunter Biden.
Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar hetimin si të pabazë ndërsa ekipi ligjor i Hunter Biden-it ka marrë një rol më sulmues ndaj kritikëve republikanë. Të hënën Hunter Biden paraqiti një padi gjyqësore ndaj agjencisë së taksave (IRS), duke akuzuar se dy punonjës që pretenduan se pati ndërhyrje për çështjen ndaj tij, shpërndanë pa autorizim të dhënat personale të lidhura me taksat e tij.
Republikanët pretendojnë se Departamenti i Drejtësisë, si gjatë administratës së Presidentit Trump dhe administratës së presidentit Biden, ka dështuar të hetojë plotësisht dyshimet ndaj Hunter Biden-it, duke nisur nga puna e tij si anëtar në bordin e kompanisë energjitike ukrainase Burisma, tek deklarimi i taksave në Kaliforni dhe Uashington.
“Unë nuk jam jam avokati i Presidentit. Nuk jam as prokurori i Kongresit. Departamenti i Drejtësisë punon për popullin amerikan”, deklaroi zoti Garland.
Hetimet ndaj zotit Hunter Biden janë udhëhequr nga David Weiss, Prokuror i shtetit të Dellauerit, i emëruar nga zoti Trump.
Muajin e kaluar zoti Garland i dha zotit Weiss statusin e Prokurorit të Posaçëm për çështjen ndaj zotit Hunter Biden, duke zgjeruar autoritetin e tij për të kryer hetime dhe për të raportuar mbi gjetjet e tyre.
Ai mbikëqyr në bazë ditore hetimet, ndërsa një tjetër Prokuror i Posaçëm Jack Smith ka në ngarkim hetimet ndaj zotit Trump, edhe pse fjalën e fundit, për të dyja rastet, e ka zoti Garland, në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm.