Lidhje

Panairi i automjeteve në Detroit pasqyron ndryshimin e strategjive të marketingut


Sindikata e Punonjësve të Industrisë së Makinave ka organizuar grevë ndaj tre prodhuesve më të mëdhenj amerikan të makinave me kërkesë për rritjen e pagave dhe përfitime tjera. Ndërkohë që negociatat po vazhdojnë, këta prodhues të makinave po reklamojnë modelet e tyre të fundit në Panairin e Automjeteve 2023 në Detroit, një ngjarje vjetore që siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, ka ndryshuar, për t’iu përgjigjur kërkesave të konsumatorëve dhe teknologjisë së re.

Në këtë sallë, ku për dekada është organizuar Panairi i Automjeteve të Detroitit makinave – këtë vit ka më pak drita… më pak kamera… dhe më pak aksion.

“Nuk është si dikur kur kishte shfaqje të mëdha, të sofistikuara,” thotë gazetari Jeff Gilbert.

Gazetari Gilbert mbulon industrinë e automjeteve për radio stacionin “WWJ” të Detroitit. Ai ka marrë pjesë në Panairin ndërkombëtar të Amerikës Veriore të makinave në Detroit për më shumë se 30 vjet dhe thotë se panairi i këtij viti pasqyron se si teknologjia po ndryshon mënyrën e reklamimit të modeleve të reja.

“Interneti u ka mundësuar prodhuesve të makinave të kenë më shumë mënyra se si t’i prezantojnë makinat, dhe ata e kanë kuptuar se ka ikur koha e zbulimit të markave të reja në një vend të vetëm, prodhimet individuale nuk marrin vëmendjen e duhur,” thotë ai.

Zoti Gilbert thotë se panairi i sivjetëm përqëndrohet më pak në markat ndërkombëtare e më shumë në “Treshen e madhe” amerikane të industrisë së automjeteve – “Ford”, “General Motors” dhe “Stellantis”, pronarit të markave “Chrysler”, “Dodge” dhe “Jeep”.

“Në të kaluarën, njerëzit do të vinin nga tërë bota për të parë modelet e reja. Tani, ‘Toyota’ është i vetmi prodhues që nuk është nga Detroiti dhe që ka ekspozitën e vet,” theksoi zoti Gilbert.

“Nuk shoh të njëjtin efekt joshës si dikur,” thotë specialisti i produktit në "Toyota, John Stemberg.

Zoti Stemberg është specialist produkti pranë prodhuesit “Toyota”. Ai thotë se panairi i Detroitit i mundëson këtij prodhuesi makinash jo vetëm të prezantojë modelet e reja të automjeteve, por të tregojë edhe investimin e tij në tregun vendor amerikan.

“Kemi 10 fabrika prodhimi në Shtetet e Bashkuara. Nga të gjitha makinat ‘Toyota’ që shesim në sallonet tona, rreth 55 për qind, janë të prodhuara në Amerikë,” thotë zoti Stemberg.

Zonja Dawn McKenzie, menaxhere komunikimi për kamionat “Ford”, thotë se prezantimi i produkteve të reja në internet i jep këtij prodhuesi nga Miçigani më shumë liri për t’u përqendruar në aspekte të tjera gjatë panairit, si për shembull provat me kamionin apo makinën elektrike të kësaj marke.

“Po shohim se prodhuesit, në veçanti ne në ‘Ford’, po eksperimentojmë me formatin e panairit, por jo domosdoshmërisht konferencë masive shtypi,” thotë zonja McKenzie.

Ndonëse disa prodhues makinash ende organizojnë konferenca shtypi, zonja McKenzie thotë se “Ford” tani është i përqëndruar tek qindra mijëra blerës të mundshëm në panair.

“Konsumatorëve ende u pëlqen të vizitojnë panairin dhe t’i shohin makinat nga afër, të ulen në to, t’i krahasojnë, sepse ndonëse mund t’i lexosh vlerësimet në internet, asgjë nuk e zëvendëson përvojën që ta përjetosh vet,” tha ajo.

Panairi i makinave i Detroitit është mbajtur që nga viti 1899. Ndonëse zoti Stemberg nga “Toyota” thotë se zbulimi me ekstravagancë i produkteve të reja i takon së kaluarës, panairi në Detroit dhe ngjarje të tjera të ngjashme që mbahen në Shtete të Bashkuara, nuk do të mbyllen.

“Pesëdhjetë milionë njerëz ende vizitojnë panairet e makinave dhe kjo paraqet një mundësi të jashtëzakonshme,” thotë zoti Stemberg nga "Toyota".

Panairi i vitit 2022 në Detroit tërhoqi vetëm gjysmën e vizitorëve krahasuar me vitin 2019 para pandemisë, por organizatorët presin të shohin një rritje të përgjithshme të vizitorëve këtë vit.

XS
SM
MD
LG