Lidhje

Biden-Netanyahu zotohen të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve Izrael Arabi Saudite


Presidenti amerikan Joe Biden dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotuan të mërkurën se do të punojnë së bashku drejt arritjes së një marrëveshjeje historike, për të krijuar marrëdhënie diplomatike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Në takimin e tyre të parë që kur zoti Netanyahu u rikthye në detyrën e kryeministrit në dhjetor, të dy udhëheqësit sinjalizuan dëshirën për të lehtësuar tensionet në marrëdhëniet e tyre. Megjithatë Presidenti Biden e bëri gjithashtu të qartë se ishte i vendosur të diskutonte dallimet mes tyre tyre.

Një prej çështjeve lidhej me kundërshtimin që zoti Biden ka ndaj planit të diskutueshëm për reformimin e sistemin gjyqësor në Izrael apo shqetësimit të tij mbi linjën e ashpër të Izraelit ndaj palestinezëve.

"Shpresoj se mund t'i zgjidhim disa gjëra sot", tha zoti Biden në fillim të bisedimeve duke u ulur krah për krah me zotin Netanyahu në Nju Jork.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë e lëshuar pas takimit thuhej se Presidenti Biden "përsëriti shqetësimin e tij për çdo ndryshim thelbësor në sistemin demokratik të Izraelit, në mungesë të konsensusit më të gjerë të mundshëm".

Presidenti Biden bëri thirrje gjithashtu për "masa të menjëhershme për të përmirësuar situatën e sigurisë dhe atë ekonomike, për të ruajtur qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete dhe për të mbështetur përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve", thuhej në deklaratë.

Në vend të një takimi në Shtëpinë e Bardhë, që do të ishte vendi më i preferuar nga zoti Netanyahu për takimin me Presidentin Biden, të dy udhëheqësit i zhvilluan bisedimet në Nju Jork, ndërsa po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Biden ftoi zotin Netanyahu të vizitojë Uashingtonin para fundit të vitit.

Presidenti amerikan përsëriti angazhimin e tij për të parandaluar Iranin që të sigurojë armë bërthamore dhe gjithashtu përsëriti mbështetjen e tij për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Por çështja më e rëndësishme e rendit të ditës ishte një nxitje e udhëhequr nga SHBA-ja për të krijuar marrëdhënie diplomatike mes rivalëve të vjetër, Izraelit dhe Arabisë Saudite, pjesa qendrore e negociatave më të gjera e komplekse, që përfshijnë garancitë për siguri nga ana e SHBA-së, ndihmë civile bërthamore të kërkuar nga Riadi, si dhe lëshime nga izraelitët ndaj palestinezëve.

"Unë mendoj se nën udhëheqjen tuaj zoti President, ne mund të vendosim një paqe historike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite", tha zoti Netanyahu, duke shtuar se "një paqe e tillë do të shtronte rrugën për t’i dhënë fund konfliktit arabo-izrael, arritjen e pajtimit mes botës islame dhe shtetit hebre, si dhe avancimin e një paqeje të vërtetë mes Izraelit dhe palestinezëve.

Zoti Netanyahu tha se ata mund të punojnë së bashku për të bërë histori.

"Së bashku", përsëriti Presidenti Biden, duke sinjalizuar angazhimin e tij ndaj përpjekjes për normalizim, për të cilën ai tha se do të kishte qenë e paimagjinueshme vite më parë.

Jashtë hotelit në Nju Jork kur po zhvillohej takimi, po mbahej një protestë kundër zotit Netanyahu kundër përpjekjeve të qeverisë së tij konservatore, për të reformuar sistemin e drejtësisë. Protestuesit falenderuan zotin Biden për atë që e cilësuan, mbështetje të demokracisë izraelite.

XS
SM
MD
LG