Lidhje

“Mri Dedja e Mërrnaçajve”, një libër mbi vuajtjet e një gruaje shqiptare


Të shtunën në Bronks të Nju Jorkut prezantohet para publikut shqiptaro-amerikan libri me titull “Mri Dedja e Mërrnaçajve – Zonja e Hekurt me Shpirt Floriri”, një botim që përshkruan në hollësi vuajtjet e një gruaje shqiptare, tragjeditë e së cilës nisën që në fëmijëri, kur Shqipëria ishte nën regjimin komunist.

Zonja Mrije, e cila sot është 84 vjeçare dhe jeton në Shtetet e Bashkuara rrëfeu një pjesë të jetës së saj për Zërin e Amerikës.

Ajo uron që ky libër të shërbejë si dëshmi e krimeve të komunizmit, në mënyrë që brezat e rinj të mësojnë nga e kaluara dhe që historia të mos përsëritet.

“Mri Dedja e Mërrnaçajve”, libër mbi vuajtjet e një gruaje shqiptare
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:44 0:00


Pak vite para fillimit të regjimit komunist në Shqipëri, më 13 prill të vitit 1939, në familjen e Dedë Nilajt nga fshati Vukël i Malësisë së Madhe, lindi një vajzë, të cilën e pagëzuan me emrin Mri Dedja.

Jeta për të nuk do të ishte e lehtë. Ajo është dëshmitare e një sërë tragjedish në familjen e saj. Që në moshën pesë vjeçare, regjimi komunist i vrau babain, xhaxhallarët dhe dy djem të xhaxhallarëve.

“Baba im u dogj brenda në shtëpi si Oso Kuka në Vraninë. Vëllain e madh të babait tim e morën, i thanë hapë një gropë. Hapi varrin për së gjalli dhe e futën të gjallë në dhe, e mbuluan aty. Pa kurrfarë dënimi, pa i bërë asgjë, askujt. Kolë Bajraktari u largua nga shtëpija, ende nuk u kishte rënë në duar. Morën djalin e xhaxahit ja nxorën dy sytë, e mbuluan me gurë dhe aty vdiq, 27 vjeç, djal i ri. Morën djalin e axhës tjetër dhe e prenë me brisk në qafë, 18 vjeçar”, shpjegon zonja Mrije në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Për shkak të kushteve të rënda, ajo humbi edhe dy vëllezër. Nëna e saj u kthye në shtëpinë e prindërve të saj, por vdiq pak vite më vonë.

Ende pa mbushur 16 vjet, Mri Dedja u martua me Marash Mernaçajn nga rajoni i Kelmendit, familja e së cilit ishte vënë po ashtu në shënjestër të regjimit komunist.

Pak vite pas martesës, në moshën 19 vjeçare ajo u detyrua të braktisë Shqipërinë.

“Tre burra të familjes së bashku me dy pleqt e tyre vendosin të arratisen, meqenëse ishin lajmëruar se tehu i thikës po i afrohej edhe familjes së tyre. Ishin një familje e njohur me kushte të mira ekonomike. Në Kelmend shin mjaft mirë në atë periudhë. Por si duket begatia që kishin Merrnacajt, ishte si pluhur në sytë e shtetit shqiptar. Nuk u mjaftonte, që një vlla e kishin në burg, por donin ta shkatërronin familjen”, thotë autori Jozef Radi për Zërin e Amerikës

“Më thanë vishu mirë, se sonte mund të na vrasin. Në duar të tyre nuk do t’u lëmë, sepse nëse na kapin, nuk do t’u shohim më kurrë. Ne nëpër burgje e ju në internime. Ne sot duhet të braktisim jetën në shtëpinë tonë. Vjerrin e vjerrën e kishim me vete. Edhe ata të shkretët vendosën të vinin pas djemve të vet. Kemi dalë së bashku dhe na u deshën 10 orë që ta kalonim kufirin”, shpjegon më tej zonja Mrije.

Kjo histori është pjesë e një libri të ri me titull “Mri Dedja e Mërrnaçajve – Zonja e Hekurt me Shpirt Floriri”, e autorit Jozef Radi.

Libri përshkruan në hollësi fëmijërinë e zonjës Mrije në bjeshkët e fshatit Vukël, jetën pasi u martua tek familja Mërrnaçaj, 8 vite në Mal të Zi, 7 muaj qëndrimi në Itali dhe pothuajse 55 vite të jetës së saj në Shtetet e Bashkuara. Zonja Mrije sot është 84 vjeçare.

Dëshmija e saj është grumbulluar në një periudhë njëvjeçare.

“Libri për Mri Merrnaçajn është libër kushtuar gruas shqiptare. Çdo grua do të gjejë pjesë të vetvetes aty dhe gjithë shoqëria shqiptare përballë veprës së Mri Merrnaçajt e cila në moshën 84 vjeçare ndërmori me një kurajo të admirueshme rrëfilim e gjithë hetës së saj, që di të shërbej si model që e vertata, kujtesa dhe krimet nuk duhet të harrohen”, thotë autori I librit Jozef Radi.

Zonja Mrije uron që libri për të të shërbejë si dëshmi e vuajtjeve të shumë familjeve të shqiptare, në mënyrë që, siç u shpreh ajo, krimet e pandëshkuara të komunizmit të mos përsëriten.

“Nuk ka drejtësi, nuk ka asgjë. Ne kemi vuajtur, e kemi larë me gjak atë që ndodhi. Për ne ka qenë gjë e madhe që na fiku shtëpinë// Amaneti për fëmijët tanë, për brezat e ri, është që të mos harrojnë gjuhën, besimin në të madhin Zot, sepse aty kemi besuar dhe gjithmonë na ka ndihmuar. Këtë libër e kam shkruar që të mos harrohen vuajtjet në shtëpitë tona dhe gjithë Shqipërinë”, thotë zonja Mrije.

Autori i librit thotë se shpreson që një ditë viktimat e komunizmit të marrin trajtimin e duhur nga autoritetet në Shqipëri, të cilat sipas tij, kanë kthyer në muze institucionet e regjimit, por jo edhe pikat ku u kryen krimet e komunizmit.

“Kanë kaluar 33 vjet dhe burgu i Spaqit është katandisur në një karakatinë. Shteti shqiptar mund të kishte vepruar me kohë. Ka ndërtuar të gjitha këto institucionet, që kanë qenë të krimit. Është bërë shtëpija me gjethe, bunkerët, tunelet e ministries së brendshme. Ata që e kanë bërë diktaturën i kanë muzetë, kurse ata që e pësuan diktaturën nuk i kanë muzetë e tyre. Kjo është e verteta e shtetit shqiptar. Ju bën muze atyre qe bënë diktaturen dhe jo atyre qe e pësuan nga diktatura. Unë protestën time e kam manifestuar edhe me librin tim”, thotë autori Radi.

Veç librit, autori është kujdesur që këtë histori ta sjellë edhe në variant elektronik dhe të regjistruar në audio.

XS
SM
MD
LG