Ish përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, tha të premtën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë asnjëherë proces i lehtë posaçërisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Zonja Ashton i bëri këto komente në Prishtinë në kuadër të konferencës të organizuar nga Grupi Ballkanik për hartimin e politikave lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces të cilin e kishte udhëhequr nga viti 2011 deri 2014.
“Sa herë që bëni diçka të madhe dhe guximshme kërkon udhëheqje të vërtetë, vendosmëri të vërtetë, të jesh i përgatitur për të lëvizur dhe menaxhuar situatën, për të bërë kompromis në kuptimin më të mirë të kësaj mënyre, nuk bëhet fjalë për dhënie, por krijimin e gjërave që ju sjellin bashkë”, tha ajo duke ju bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen vazhdimisht në dialog.
“Është e rëndësishme që dialogu të shihet si diçka që rrjedh në vazhdimësi që ju e zotëroni. Nuk më takon mua, apo ambasadorit Reeker, ju takon juve dhe Serbisë, ju jeni ata që krijoni dialogun”, tha ajo.
Zonja Ashton tha se shpreson që në muajt dhe vitet në vazhdim dialogu do të shkojë përpara, me gjithë se sipas saj nuk do të jetë e lehtë.
Ish Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, tha se para dhjetë vjetësh Kosova e Serbia ishin në gjendje që të lënë anash ndasitë e tyre dhe arritën marrëveshje. Ai kritikoi situatën aktuale ku sipas tij janë rikthyer sërish tema të marrëveshjeve të arritura më parë.
“Dhe është e jashtëzakonshme në mënyrën se si mund të ktheheni 10 vjet më vonë dhe të shihni se ata ende flasin për targat e makinave? Dua të them se çfarë ndihmon kjo për të edukuar fëmijën ose për të krijuar një jetë më të mirë për dike. Këto ishin hapa, këto ishin mundësi për të treguar dhe për t'u shfaqur njerëzve se kishte një rrugë përpara, në vend që t'i vendosen këto gjëra si pengesë për përparimin e mëtejshëm”, tha ai.
Zoti Reeker tha se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur në çdo proces Kosovën dhe si miq nuk duhet të befasojnë me veprime të papritura njëri tjetrin.
“Dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, se kur keni marrëdhënie me ndershmëri, sigurisht se nuk duhet befasuar mikun tuaj me lëvizje që janë të papritura dhe kjo mban mikun tuaj jashtë. Kaq shumë gjëra po ndodhin në botë dhe nëse ju nuk e ndjeni qëllimin serioz, do të jetë një shpërqendrim dhe do të largohen te gjërat tjera”, tha ai.
Zonja Ashton dhe zoti Reeker i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun për të zgjidhur të gjitha mospajtimet ndërmjet tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan të enjten rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Udhëheqësit e të dyja vendeve u takuan në Bruksel mes tensionesh të larta dhe thirrjeve të diplomatëve perëndimorë për shmangien e veprimeve që mund të nxisin një ripërtëritje të dhunës në rajon.