Aleanca për Mbrojtjen e Ligatinave të Mesdheut, një grupim organizatash për mbrojtjen e mjedisit i kanë dërguar një letër kryeministrit shqiptar Edi Rama, Komisionit Europian dhe Organizatës Ndërkombëtare për Transportin Ajror, (IATA), ku kërkojnë pezullimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës në Lagunën e Nartës.
Letra është firmosur nga 33 organizata mjedisore nga të paktën 27 shtete në rajon.
Letra vjen në mbështetje të vendimit më të fundit të Konventës së Bernës njoftuar të enjten që u ka kërkuar autoriteteve shqiptare pezullimin e ndërtimit të aeroporti ndërkombëtar në zonën e mbrojtur të Lagunës Vjosa-Nartë, një zonë kyçe për mijëra zogj që çdo vit migrojnë midis Evropës dhe Afrikës.
Rekomandimi 219 i Konventës së Bernës thotë se kërkesa për pezullimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës u mor pas shqyrtimit dokumenteve të paraqitura nga organizatat mjedisore shqiptare dhe qeveria shqiptare dhe një vlerësimi në terren të situatës mjedisore ndërkohë që në dhjetor të vitit 2022 Komiteti Konvetës u kishte kërkuar autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve.
Konventa e Bernës e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës. Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1995 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 1999.
Qeveria shqiptare i ka shpërfillur deri tani reagimet e organizatave mjedisore dhe një kërkesë dhjetorin e vitit të kaluar të Komitetit të Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve për aeroportin e Vlorës deri në kryerjen e një vlerësimi të ri të ndikimit mjedisor.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi një muaj më parë në rrjetet sociale të fotove që tregonin pistën e re të aeroportit të sapondërtuar u shpreh se punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025 në Aeroportin e Vlorës.
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është sipas vlerësimit të organizatave një ndër sistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës dhe pjesë e disa rrjeteve ekologjike ndërkombëtare, korridorit shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga "Mabetex" e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, "Yda Group", e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.
Në Mars të këtij viti shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania Mabco Constructions, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.
Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milionë euro.