Në Tiranë, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi sot të kalojë për gjykim çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Në seancën paraprake prokurorët e çështjes deklaruan se provat dhe faktet në dispozicion, përfshirë audiopërgjime, mbështesin akuzën e ngritur prej tyre. Edmond Dema, avokati mbrojtës i zotit Beleri, kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme. Por gjykata mësohet se e ka konsideruar të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.
Avokati Dema, tha pas seancës se është e pakuptimtë që Beleri të vijojë të mbahet në arrest me burg, aq më tepër tani që hetimet janë mbyllur. Ai deklaroi se nuk është kërkuar gjykim i shkurtuar. “Do të jetë një process I gjatë, pasi ne do të tthërrasim shumë dëshmitarë”, deklaroi ai.
Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpasherëshme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njejtën kërkesë.
Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instance të ndryshme ndërkombëtare. Nesër, ministri i Brendshëm grek, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt këtë të enjte në Tiranë, pritet të shkojë të takojë zotin Belei, në mjediset e paraburgimit në Durrës.
Qeveria shqiptare është kundërpërgjigjur duke deklaruar mëse një herë se kjo është një çështje e Drejtësisë e duke refuzuar kategorikisht çdo lloj ndërhyrjeje ndaj sistemit gjyqësor. Ndërsa kryeministri Rama, jo më larg se një ditë më parë tha se Shqipërisë askush nuk mund t’i japë leksione për trajtimin e minoriteteve.