Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un hyri sot në territorin rus për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin. Zoti Kim pritet të kërkojë ndihmë ekonomike nga Moska në këmbim të furnizimit me armë të Rusisë, duke e ndihmuar kështu në luftën që po bën në Ukrainë. Presidenti Putin tha sot se pret një luftë të gjatë në Ukrainë, por analistët thonë se takimi me udhëheqësin koreaoverior tregon dëshpërimin e tij, ndërsa Rusia ka përdoruar pjesën më të madhe të rezervave ushtarake gjatë agresionit ndaj fqinjit të saj.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut tha se udhëheqësi koreanpoverior u nis me tren për në Rusi të dielën pasdite, i shoqëruar nga anëtarë të partisë në pushtet, qeverisë dhe ushtrisë.
Ai pritet të kërkojë ndihmë ekonomike dhe armatime me teknologji të përparuar nga Moska për vendin e tij të varfër, por nga ana tjetër, duket se zotëron atë që presidenti Putin po kërkon dëshpërimisht, armatimet e nevojshme për sulmin që Rusia po kryen në Ukrainë.
Mbetet e paqartë se ku do të qëndrojë Kim Jong Un. Fillimisht ishte supozuar se takimi i rrallë mes dy udhëheqësve të izoluar nga Perëndimi do të zhvillohej në Vladisvostok, por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmoi vetëm se zoti Kim ka hyrë në Rusi dhe agjencia shtetërore e lajmeve ruse Ria-Novosti njoftoi më vonë se treni me të cilin udhëtonte udhëheqësi koreanoverior ishte drejtuar për në veri të vendit, duke e lënë pas qytetin Vladivostok.
Zëdhënësi i Kremlinit Peskov tha se dy udhëhehqësit do të takohen pas forumit të Vladivostokut .
Ka gjasa që Koreja e Veriut të ketë dhjetëra miliona predha artilerie dhe raketa të llojit sovjetik, të cilat mund t’i jepnin një ndihmë të madhe ushtrisë ruse, thonë analistët.
“Mendoj se është një shenjë dëshpërimi. Rusia ka përdorur një sasi të madhe të rezervave të saj të predhave të artilerisë në konfliktin kundër Ukrainës dhe i duhen furnizime. Këtë po kërkon Rusia nga Koreja e Veriut. Mendoj se Pheniani mund të kërkojë furnizim me armatime me teknologji të avancuar, si për shembull në lidhje me nëndetëset, apo satelitët e zbulimit ushtarak”, thotë James D. J. Brown, profesor i shkencave politike, i degës së Universiteti Temple, në Japoni.
Duke folur në forumin ekonomik që po mbahet në qytetin Vladivostok, Presidenti Putin la të kuptohet se pret një luftë të gjatë në Ukrainë dhe se Ukraina mund të përdorë bisedimet e mundshme të paqes në të ardhmen për t’u riarmatosur.
“Duket se ata po nxiten nga Perëndimi për të vazhduar luftën dhe kur të gjitha burimet, pajisjet dhe armatimet të jenë pranë fundit, të kërkojnë mbajtjen e bisedimeve për paqe dhe t’i nisin bisedime me qëllim që në këtë kohë të plotësojnë rezervat dhe forcojnë aftësitë ushtarake”, tha presidenti Putin.
Sipas zyrtarëve amerikanë, në takimin me udhëheqësin koreano-verior zoti Putin mund të përqëndrohet tek sigurimi i furnizimeve me predha artilerie dhe municione të tjera nga Koreja e Veriut për të plotësuar rezervat që po shterojnë me shpejtësi për të zmbrapsur kundërofensivën e Ukrainës, duke demonstruar kështu edhe se është në gjendje të përballojë një luftë të gjatë.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim mbi mundësinë që Koreja e Veriut të furnizojë me armë Rusinë.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan paralajmëroi javën e shkuar udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un se vendi i tij do të paguajë një çmim për furnizimin e Rusisë me armë, që ajo do t’i përdorë në Ukrainë.