Lidhje

Pas dorëheqjes së Rubiales futbolli spanjoll gati të lërë pas krahëve një kapitull të sikletshëm


Futbolli spanjoll është gati të shohë drejt së ardhmes, tre javë pasi ekipi i tij fitoi Kupën e Botës për femra, por festimet për të cilën u lanë në hije pas një puthjeje që nxiti një krizë.

Luis Rubiales, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit që puthi një lojtare në buzë pa pëlqimin e saj gjatë ceremonisë së trofeut në Australi muajin e kaluar, dha dorëheqjen të dielën vonë, pas javëve të tëra trysnie nga rrethi sportiv dhe shoqëria spanjolle në përgjithësi.

Vendimi, që shumë shpresonin të ndodhte më parë, pritej të ndihmojë futbollin spanjoll të fillojë të kapërcejë një nga kapitujt e tij më të sikletshëm.

Gjithashtu duhet t’i hapë rrugë Spanjës të kthehet në drejtimin e duhur në ofertën e saj për t’u bërë vendi organizator për Kupën e Botës për meshkuj në vitin 2030 së bashku me Portugalinë, Marokun dhe ndoshta Ukrainën.

"Mori fund", shkroi Irene Montero, ministrja në detyrë për Barazi në Spanjë, në X, platforma e mediave sociale e njohur më parë si Twitter.

Zoti Rubiales ishte kritikuar gjerësisht pasi puthi lojtaren Jenni Hermoso në buzë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve pas fitores 1-0 të Spanjës ndaj Anglisë në finalen e Kupës së Botës për femra, më 20 gusht, në Sidnej. Fubollistja Hermoso tha se puthja ishte pa pëlqimin e saj.

Zoti Rubiales pritej të jepte dorëheqjen gjatë mbledhjes urgjente të federatës menjëherë pas finales së Kupës së Botës, por në vend të kësaj tha se ai ishte viktimë e një "gjuetie shtrigash".

Qëndrimi i tij sfidues nuk e zgjidhi problemin.

Gjykata Kombëtare e Spanjës njoftoi të hënën se ka rënë dakord me një kërkesë të prokurorëve për të shqyrtuar nëse zoti Rubiales duhet të përballet me akuzat për sulm seksual dhe kërcënim. Kjo do të thotë se gjykata do të mbledhë prova në këtë rast, me gjasë, duke përfshirë kërkesën që zoti Rubiales të japë dëshmi, përpara se të marrë vendim.

Sipas ligjit spanjoll, zoti Rubiales mund të përballet me gjobë ose dënim me burg nga një deri në katër vjet, nëse shpallet fajtor për sulm seksual.

Ai u përkrah publikisht vetëm nga nëna e tij, e cila mbajti një grevë urie të shkurtër në një kishë në Spanjën jugore.

Federata Spanjolle e Futbollit i kërkoi publikisht zotit Rubiales të largohej dhe një nga mbështetësit e tij më të mëdhenj, trajneri i ekipit të femrave, Jorge Vilda, u shkarkua javën e kaluar.

XS
SM
MD
LG