Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë tha të shtunën se kishte gjetur në territorin rumun fragmente të reja të një droni të ngjashëm me ato të përdorura nga ushtria ruse. Presidenti Klaus Iohannis tha se kjo tregon për një shkelje të papranueshme të hapësirës ajrore të Rumanisë.
Zoti Iohannis tha përmes një deklarate se e kishte informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për gjetjet e fragmenteve të dronit, i dyti që u rrëzua në territorin rumun këtë javë. Ai tha se zoti Stoltenberg kishte theksuar solidaritetin e plotë të aleancës me Rumaninë.
“Identifikimi nga autoritetet rumune i fragmenteve të reja të dronëve në territorin rumun pranë kufirit me Ukrainën, tregon një shkelje të papranueshme të hapësirës ajrore të Rumanisë, një shtet i NATO-s, çka përbën rreziqe reale për sigurinë e qytetarëve rumunë”, tha Presidenti Iohannis. “E dënoj me vendosmëri këtë incident të shkaktuar nga sulmet ruse në portet ukrainase të lumit Danub”.
Sulmet në portet ukrainase të lumit Danub, vetëm qindra metra nga kufiri rumun, kanë rritur rreziqet e sigurisë për NATO-n, anëtarët e së cilës kanë një angazhim të ndërsjellë për mbrojtjen.
Zoti Stoltenberg tha se sulmet ruse pranë kufirit ishin "destabilizuese" edhe nëse nuk kishte asnjë tregues se Rusia synonte të godiste një anëtar të NATO-s. Ai shtoi në një mesazh në rrjetin X, platforma e quajtur më parë Twitter, se ai e mirëpret vendimin amerikan për të shtuar patrullimin ajror me avionë luftarakë të tipit F-16.
Departamenti i Shtetit tha në fillim të kësaj jave se do të ofronte avionë luftarakë shtesë F-16 për të forcuar misionin e patrullimit ajror të NATO-s mbi Rumani.
Ministria e Mbrojtjes tha se kishte dërguar ekipe të posaçme në zonë pas njoftimit nga autoritetet lokale për fragmente të dyshuara droni të zbuluara 2.5 km në juglindje të fshatit Plauru, përtej porti ukrainas Izmail në lumin Danub. Ushtria ka siguruar zonën dhe fragmentet do të analizohen, thuhet në një deklaratë.
Që nga korriku, kur Moska braktisi një marrëveshje për heqjen e bllokadës ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi, Moska ka goditur vazhdimit portet e ukrainës në lumin e Danubit pranë Rumanisë.
Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë dhe porti rumun i Konstancës në Detin e Zi aktualisht është alternativa kryesore e eksportit. Drithërat dërgohet atje përmes rrugëve hekurudhore ose lumit Danub.