Lidhje

Përkujtohet 77 vjetori i Kryengritjes Antikomuniste të Postribës


Kanë kaluar 77 vite nga Kryengritja Antikomuniste e Postribës dhe ajo vazhdon të përkujtohet si një nga ngjarjet e rëndësishme e qëndresës antikomuniste të shqiptarëve.

Përkujtohet 77 vjetori i Kryengritjes Antikomuniste të Postribës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Organizuar nga shoqata kombëtare “Postriba-Nderi i Kombit”, banorë të Shkodrës dhe Postribës bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në memorialin kushtuar kësaj ngjarje. Kurora me lule vendosi sot edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i kandiduar në zgjedhjet e fundit vendore të 24 majit nga Partia Socialiste.

Kryetari i shoqatës “Postriba-Nderi i Kombit”, Faz Shabaj tha se gjatë 30 viteve Partia Socialiste e ka quajtur reaksionare Kryengritjen e Postribës.

“Ne, edhe sot, vendosëm kurora pranë lapidarit të ngritur në kujtim të kësaj ngjarje të shënuar. Pranë këtij lapidari vendosi kurora edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, zoti Benet Beci, të cilin unë personalisht e përgëzoj sepse, Partia Socialiste tash 30 vjet nuk e ka nderuar asnjë herë këtë ngjarje, por e ka quajtur kryengritje reaksionare dhe famëkeqe”.

Më 9 shtator të vitit 1946 banorët e Postribës dhe rrethinave, të pakënaqur me vendosjen e regjimit komunist, sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, me qëllim lirimin e të burgosurve politikë. Revolta e tyre u shtyp me dhunë dhe 9 prej kryengritësve u dënuan me vdekje, 4 të tjerë me burgim të përjetshëm, ndërsa 6 kryengritës u dënuan me nga 15-20 vite burgim.

Për kryetarin e shoqatës së ish të përndjekurve politikë të Shkodrës, Zenel Drangun, një pjese e të ekzekutuarve pas dështimit të kryengritjes, ende nuk u është gjetur vendvarrimi.

“Para dhjetë ditëve patëm një takim me kryetaren e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit ku u diskutua kjo çështje në respekt të Shkodrës, e cila ka 601 të pushkatuar dhe 500 persona, të cilëve nuk u janë gjetur eshtrat”

Në përkujtimin e 77 vjetorit të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, përshëndetën edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët vlerësuan mesazhin që përcjell përkujtimi i kësaj ngjarje.

Kryengritja e Postribës e shtatorit të vitit 1946 nuk ja arriti qëllimit dhe u shtyp me dhunë nga diktarura e sapovendosur në Shqipëri. Megjithatë, ajo mbetet një simbol i qëndresës kundër komunizmit. Për këtë, Postriba është nderuar me urdhërin e lartë “Nderi Kombit”.

XS
SM
MD
LG