Lidhje

Gërdeci, pranohet kërkesa e Mediut për gjykim të zakonshëm


Shpërthimi në Gërdec dhe ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu
Shpërthimi në Gërdec dhe ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, pranoi sot kërkesën e mbrojtësve të ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu për zhvillimin e një procesi gjyqësor të zakonshëm dhe jo të shkurtuar për rastin e shpërthimit të depos së municioneve në Gërdec në vitin 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë mbetën të plagosur.

Në muajin prill, ndërsa gjykata pranoi gjykimin e çështjes, zoti Mediu kërkoi gjykim të shkurtuar, nga e cila tanimë ai hoqi dorë, me gjasë në një përpjekje për të shtyrë gjatë në kohë vendimmarrjen e gjykatës.

Ish ministri akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Të njejtat akuza që u ngritën ndaj tij në vitin 2009 edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por për të cilat zoti Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi në verën e atij viti rifitoi mandatin e deputetit.

Mbrojtësit e zotit Mediu paraqitën sot një listë të gjatë me 90 dëshmitarë, ku ishin përfshirë emrat e personaliteteve të shumta të huaja, ish zyrtarë amerikanë, të NATO-s dhe vendeve të ndryshme, të cilët, sipas avokatëve, kishin bashkëpunuar në atë kohë më ministrinë e mbrojtjes për reformimin e ushtrisë shqiptare, apo kishin mbështetur nevojën e kryerjes së demontimit të municioneve. Mes tyre figuron ish zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes në periudhën 2006-2009 Gordon England, apo dhe ish ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë.

Për avokatin e familjarëve të viktimave të Gërdecit, Dorian Matlija, thirrja e dëshmitarëve, veçanërisht ata që nuk kanë marrë pjesë në procesin e mëparshëm “kanë lidhje vetëm me faktin se pse duhet ta bënte demontimin Shqipëria dhe jo se si do ta bënte demontimin. Gjyqi nuk bëhet se pse ka demontuar armë Shqipëria në kohën që ka qenë ministër zoti Mediu. Gjyqi po bëhet si është bërë, kush i dha urdhërat për t’u bërë ku, nga kush, me çfarë teknologjie dhe nën mbikqyrjen e kujt”.

Në listë janë përfshirë dhe ish drejtues të tjerë të ministrisë së mbrotjes, apo qeveritarë të asaj kohe, e po ashtu dhe ekspertët shqiptarë apo të huaj të cilët kryen vlerësimet teknike mbi shkaqet e shpërthimit në Gërdec. Mbrojtja e zotit Mediu ka kërkuar dhe realizimin e një “eksperimenti hetimor, duke riprodhuar, për aq sa është e mundur, shkakun e pretenduar të shpërthimit në Gërdec”.

Avokatët po ashtu kanë kërkuar që të debatohen dhe “përgjimet telefonike dhe analiza e tabulateve të komunikimeve telefonike, para dhe pas ngjarjes, prej nga burojnë fakte të rëndësishme për procesin, e për pafajësinë e të mbrojturit prej nesh”, shkruhet në kërkesën drejtuar gjykatës.

Sipas Prokurorisë së posaçme, ish ministri Mbrojtjes ka nxjerrë akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Zoti Mediu i ka hedhur poshtë akuzat, në mënyrë të përsëritur, duke pretenduar se procesi ndaj tij ka një sfond politik.

Në muajin shkurt, ndërsa njoftoi dërgimin e dosjes së zotit Mediu për gjykim, Prokuroria e posaçme bëri të ditur po ashtu se kishte rregjistruar dhe një procedim të ri penal për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë apo të të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, lidhur me procedurat e ndjekura në atë kohë nga Ministria e Mbrojtjes, për shitjen e municioneve kompanive private. Një hetim për të cilin nuk ka megjithatë asnjë person të akuzuar.

XS
SM
MD
LG