Lidhje

Erdogani dhe Putini thellojnë bashkëpunimin, Ankaraja në kurs përplasje me Perëndimin


Nga takimi i 4 shtatorit 2023 në Soçi të Rusisë
Nga takimi i 4 shtatorit 2023 në Soçi të Rusisë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin janë zotuar për një bashkëpunim më të thellë ekonomik ndërsa lista e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë sa vjen e rritet. Angazhimi i udhëheqësve për të forcuar lidhjet, thonë analistët, ka të ngjarë të trazojë shpresat midis aleatëve perëndimorë të Turqisë për një çarje midis Erdoganit dhe Putinit.

Erdogani dhe Putini thellojnë bashkëpunimin, Ankaraja në kurs përplasje me Perëndimin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Presidenti rus Vladimir Putin u zotuan të shtojnë bashkëpunimin në fusha si energjia, turizmi dhe ndihma e huaj, gjatë takimit të tyre më 4 shtator në vendpushimin rus Soçi të Detit të Zi. Marrëdhëniet midis udhëheqësve u ftohën pasi zoti Erdogan e zemëroi Moskën duke shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Analistët thonë se rezultati i takimit në Soçi është një sinjal i fortë se udhëheqësi rus nuk mund tja lejojë vetes zbehjen e marrëdhënieve me Erdoganin. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Ilhan Uzgel, me portalin turk të lajmeve Kisa Dalga.

“Putini nuk mund ta përballojë humbjen e Erdoganit. Atyre nuk u interesojnë marrëdhëniet e Edoganit me vendet dhe institucionet perëndimore. Ata janë më të interesuar se çfarë lloj bashkëpunimi mund të arrijnë me Erdoganin dhe bashkëpunojnë në shumë fusha”.

Zyrtarët rusë konfirmuan të mërkurën se Turqia do të marrë pjesë në përpjekjet e Rusisë dhe Katarit për të furnizuar vendet afrikane me 1 milionë tonë grurë.

Sipas marrëveshjes, Turqia do ta përpunojë grurin në miell dhe gjithashtu do të marrë drithëra nga Rusia për tregun e saj.

Analistët paralajmërojnë se Moska mund ta shfrytëzojë marrëveshjen për të eksportuar grurë të grabitur në Ukrainë, në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare, çka shton edhe tej shqetësimet mbi refuzimin e Turqisë për të zbatuar sanskionet kundër Rusisë.

Eksperti i krimeve financiare George Voloshin thotë për Zërin e Amerikës se ndërsa shtrengohen sanskionet ndaj Moskës, Turqia po bëhet edhe më e rëndësishme për Rusinë:

“Në Turqi ka shumë ndërmjetës që ndihmojnë interesat ruse, që ndihmojnë Rusinë të blejë mallra nga Perëndimi, përfshirë ato bazë, si dhe materiale shumë të rëndësishme”.

Në takimin e Soçit, udhëheqësit Putin dhe Erdogan u angazhuan gjithashtu për rritjen e tregtisë dypalëshe nga 70 miliardë në 100 miliardë dollarë, përfshirë tjetërsimin e Turqisë në një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit rus.

Disa vëzhgues thonë se kjo do të minonte përpjekjet e aleatëve perëndimorë të Turqisë për të bllokuar energjinë ruse nga tregjet ndërkombëtare.

Presidenti Putin dhe homologu turk diskutuan gjithashtu planet e kompanive ruse për të ndërtuar një reaktor të dytë bërthamor në Turqi.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Zaur Gasimov, profesor i historisë dhe specialist për Rusinë në Universitetin e Bonit.

“Takimi i Soçit tregoi shtimin e ndërveprimit midis Rusisë dhe Turqisë, çka tregon se të dyja palët janë të domosdoshme për njëra-tjetrën. Ato vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe ndërveprojnë, duke shtuar edhe më shumë fushat e bashkëpunimit midis Ankarasë dhe Moskës”, tha ai.

Zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik midis Rusisë dhe Turqisë, thonë disa analistë, mund të shkaktojë tensione mes Ankarasë dhe aleatëve të saj perëndimorë. Ndërsa Perëndimi përpiqet ta izolojë Rusinë, bashkëpunimi i ri mes Ankarasë dhe Moskës po zbeh shpresat që zoti Edrogan të ftohë lidhjet e ngushta me Presidentin Putin.

XS
SM
MD
LG