Lidhje

Rusia mban zgjedhje në territoret e pushtuara ukrainase


Një poster elektoral i Partisë "Rusia e Bashkuar" në territoret e pushtuara ukrainase në Donetsk (7 shtator 2023)
Një poster elektoral i Partisë "Rusia e Bashkuar" në territoret e pushtuara ukrainase në Donetsk (7 shtator 2023)

Autoritetet ruse po mbajnë këtë javë zgjedhje lokale në territoret ukrainase të aneksuara një vit më parë, në të njëjtën kohë me dhjetëra rajone të Rusisë që votojnë për të zgjedhur guvernatorët lokalë dhe ligjvënësit, përfshirë kryebashkiakun e Moskës. Votimi për legjislaturat vendore të krijuara nga Moska në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia do të zgjasin disa ditë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Pasi banorët të kenë votuar, do të krijohet një legjislaturë rajonale, e cila në vazhdim do të emërojë guvernatorin rajonal.

Në provincat Donetsk dhe Luhansk, mijëra kandidatë po konkurrojnë për vendet në këshillat bashkiakë dhe komunalë.

Sigurisht që ky votim është i veçantë për të gjithë ne, për të gjithë banorët e Republikës së Donetskut, sepse janë zgjedhjet e para si pjesë e Federatës Ruse. Po votojmë për një të ardhme të ndritur në kuptimin e gjerë të fjalës”, thotë Valery, banor në rajonin Donetsk.

Sigurisht që presim ndryshime për më mirë, por mbi të gjitha një jetë të qetë, normale dhe paqësore për njerëzit”, thotë banorja Svetlana.

Mbështetësit e Kievit dhe pro-perëndimorët i kanë quajtur zgjedhjet të paligjshme, duke thënë se ato shkelin ligjin ndërkombëtar.

Votimi është planifikuar gjatë së njëjtës fundjavë kur mbahen zgjedhjet lokale në Rusi, 8 – 10 shtator. Por në rajonet ukrainase, votimi filloi një javë përpara dhe punonjësit zgjedhorë po shkojnë derë më derë për të mbledhur vota.

Punonjëset zgjedhore duke mbledhur votat derë më derë në Donetsk (6 shtator 2023)
Punonjëset zgjedhore duke mbledhur votat derë më derë në Donetsk (6 shtator 2023)

Personeli ushtarak nga Rusia gjithashtu po voton për kandidatët rajonalë në rajonet ukrainase. Në votime lejohet të marrin pjesë personat që kanë marrë shtetësinë ruse, por edhe ata që kanë mbajtur shtetësinë ukrainase.

Forca kryesore politike që kandidon është partia në pushtet në Kremlin, Rusia e Bashkuar, megjithëse në fletëvotim shfaqen edhe parti të tjera, si Partia Komuniste, apo ajo nacionaliste LDPR.

Ata pretendojnë se rajonet e pushtuara ukrainase janë njësoj si rajonet e tjera të Rusisë. Nëse të tjerët kanë zgjedhje, përse të mos mbahen zgjedhjet këtu? Në këtë rast, duhet të shpjegojmë se këtu vepron forca madhore. Autoritetet ruse po përpiqen shumë që të shtiren sikur gjithçka po shkon sipas planit, se gjithçka është mirë. Dhe nëse çdo gjë shkon sipas planit, edhe procesi politik duhet të zhvillohet sipas planit”, thotë analisti politik Abbas Gallyamov.

Ai vë në dukje se çështja e luftës po injorohet në mënyrë qesharake gjatë zgjedhjeve. Tema e luftës nuk është popullore dhe kandidatët e shmangin. Gjithashtu nuk lejohet të marrin pjesë kandidatët që mund të bëjnë fushatë kundër luftës.

Votuesit mendojnë se zgjedhjet nuk janë për gjërat e vërteta dhe të rëndësishme. Pjesëmarrja do të jetë minimale. Këto janë zgjedhje sipërfaqësore”, thotë zoti Gallyamov.

Kjo është ndoshta arsyeja përse fushata për zgjedhjen e kryebashkiakut të Moskës ishte më e zbehta prej vitesh – asnjë prej pesë kandidatëve nuk vendosi postera elektoralë.

Nuk pres për asgjë. Mendoj se duhet të votojmë në vend që të presim. Ata që presin nuk besojnë se vendimi i tyre mund të ndikojë tek situata. Unë besoj dhe e di që duhet vepruar kështu”, thotë Mikhaela, banore e Moskës.

Moskovitët as nuk janë të informuar se emrat e cilët kandidatëve do të shohin në fletëvotime përveç kryebashkiakut aktual, Sergei Sobyanin.

XS
SM
MD
LG