UASHINGTON – Peter Navarro, ish-këshilltari për tregtinë i ish-Presidentit Donald Trump, u gjend fajtor të enjten për shpërfillje të Kongresit. Ai pati kundërshtuar një fletëthirrje nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e vitit 2021 ndaj Kapitolit.
Një juri gjyqësore prej 12 anëtarësh e shpalli fajtor zotin Navarro për dy akuza shpërfilljeje pasi ai refuzoi të dëshmojë apo të dorëzojë dokumenta tek komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve, në atë kohë me shumicë demokrate, që hetoi sulmin e 6 janarit 2021 nga një turmë mbështetësish të ish-Presidentit Trump, si dhe përpjekjet më të gjera të tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.
Zoti Navarro, një ndër ish-zyrtarët më të rreptë me Kinën që këshillonte zotin Trump për çështjet tregtare, pati shërbyer edhe në grupin e punës për COVID-in. Ai u bë tashmë bashkëpunëtori i dytë i afërt i ish-Presidentit Trump që dënohet për sjelljen me komisionin e Kongresit. I pari u gjend fajtor vitin e kaluar Steve Bannon për shpërfillje të Kongresit, pas refuzimit të një fletëthirrjeje. Ai u dënua në atë kohë me katër muaj burgim dhe e ka apeluar vendimin.
Zoti Navarro tha përpara seancës gjyqësore se nuk kishte detyrimin të respektonte fletëthirrjen pasi ish-Presidenti Trump kishte imunitetin e degës ekzekutive, që përfshin mospublikimin e disa prej të dhënave të kësaj dege.
Gjykatësi Amit Mehta vendosi se zoti Navarro nuk mundej ta përdorte këtë shpjegim gjatë mbrojtjes së tij, duke konkluduar se i akuzuari nuk kishte paraqitur prova që zoti Trump të kishte aktivizuar zyrtarisht imunitetin e ekzekutivit në përgjigje të fletëthirrjes. Avokatit Stanley Woodward i mbetën argumentat mbrojtës se zoti Navarro mund të mos ketë zbatuar gabimisht fletëthirrjen.
Zoti Navarro, i veshur me kostum të errët dhe kollare, nuk reagoi dukshëm kur u lexua vendimi, pasi gati pesë orë diskutimesh më vete të jurisë. Avokati i tij tha se do ta apelojë vendimin.
Zoti Navarro u tha gazetarëve jashtë godinës se “ditën që Gjykatësi Mehta vendosi që nuk do ta përdorja imunitetin e ekzekutivit si argument mbrojtës, u vulos edhe çështja”.
Akuzat mbartin një dënim maksimal deri në një vit burgim. Dënimi pritet të jepet më 12 janar.