Lidhje

Gara për energjinë nga fuzioni bërthamor


Fuzioni bërthamor ka frymëzuar shkencëtarët prej dekadash me potencialin që ka për të prodhuar energji të bollshme pa mbetje karbonike. Siç njofton nga Siatëlli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Dierking, një kompani e re shpreson të fitojë garën për të prodhuar teknologjinë që do të vinte në dispozicion të konsumatorëve këtë lloj energjie.

Gara për energjinë nga fuzioni bërthamor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Energjia bërthamore e tanishme vjen nga fizioni, procesi që mbledh energjinë që krijohet nga ndarja e atomeve. Por ky proces ndarjeje krijon edhe nënprodukte radioaktive që mund të jenë të dëmshme.

Por shkrirja e këtyre atomeve për t’u shndërruar në helium, procesi që ndodh brenda Diellit, nuk prodhon nënprodukte të dëmshme dhe mund të prodhojë energji të bollshme dhe të pastër.

Ben Levitt drejton punën kërkimore dhe prodhimin në kompaninë e re amerikane Zap Energy.

“Fuzioni është vërtet hapi i ardhshëm në zhvillimin njerëzor. Ky burim energjie është i bollshëm, i sigurtë, nuk lë mbetje karbonike dhe mund të na çlirojë nga kufizimet e burimeve energjitike tokësore”, thotë ai.

Energjia nga fuzioni nuk është në qarkullim në treg pasi është më i vështirë bashkimi me shkrirje i atomeve, se sa veçimi i tyre. Një prej pengesave është energjia dhe nxehtësia ekstreme që nevojiten për të prodhuar këtë lloj reaksioni në një mjedis të kontrolluar. Zoti Levitt shpjegon se kompania “Zap Energy” përdor një rrymë të lartë që kalon përmes plazmës së gazit me atome të jonizuar, pa elektrone me ngarkesë negative apo jone me ngarkesë pozitive.

“Mund ta konsideroni si një vetëtimë, që krijon fushën e saj manjetike, mban kështu veten të kufizuar dhe nxehet në nivelin e duhur për fuzionin”, thotë zoti Levitt.

Për shkak të përparimit të arritur, Departamenti amerikan i Energjisë i dha kompanisë Zap një nga tetë fondet e këtij viti të destinuara për novacionin. Një pjesë e këtyre fondeve do të përdoren për të ndërtuar një central ku do të testohen teknologjitë e bazuara tek fuzioni, thotë koordinatori për fuzionin në Departamentin e Energjisë, Scott Hsu.

“Duam të gjejmë mënyrat për ta inkurajuar këtë interes të madh të sektorit privat për zhvillimin e teknologjisë së fuzionit dhe t’i përshpejtojmë gjërat. Jemi në një pikë kthese, kur nëse përqëndrohemi vërtet tek teknologjia, nevojat inxhinierike dhe materialet që nevojiten, mendoj se është e mundshme që ta përshpejtojmë zhvillimin e saj. Në këtë pikë mund të jetë më shumë çështje vullneti dhe investimi, se sa çështje kohe”, thotë zoti Hsu.

Dekada të tëra teorish premtuese për futjen në treg të fuzionit, ende nuk kanë prodhuar teknologjira të reja të rëndësishme. As kompania Zap dhe as Departamenti amerikan i Energjisë nuk kanë një afat se kur mendojnë që konsumatorët mund të furnizojnë me këtë lloj energjie shtëpitë e tyre.

Por, kur të vijë ajo ditë, do t’ja ketë vlejtur pritja dhe përpjekjet, thotë Ahmed Diallo, drejtues në Agjencinë e Projekteve të Avancuara Kërkimore në Departamentin e Energjisë.

“Ditën kur të kemi energji nga fuzioni, nuk do të shqetësohemi më për energjinë. Kështu duhet ta mendojnë njerëzit. Do të kemi energji të bollshme. Nuk do të kufizohemi me disa centrale energjie dhe mund të punojmë për të zgjidhur probleme të tjera. Pra durimi është çelësi dhe dua që njerëzit ta kuptojnë se kjo do të jetë zgjidhja e madhe”, thotë zoti Diallo.

Të ndihmuar edhe nga fondet e qeverisë, Shoqata e Industrisë së Fuzionit thotë se janë tashmë mbi 6 miliardë dollarë financime në sektorin privat për kompanitë e reja në fushën e energjisë nga fuzioni.

XS
SM
MD
LG