Fondacioni Nobel njoftoi të shtunën se nuk do të ftojë ambasadorët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel në Stokholm këtë vit, duke hequr dorë nga një vendim i mëparshëm, që ndeshi në shumë kritika.
Vitin e kaluar, fondacioni la jashtë ambasadorin e Rusisë si dhe të vendit aleat të saj, Bjellorusisë, për shkak të sulmit rus ndaj Ukrainës.
Por më 31 gusht të këtij viti përfaqësuesit e Fondacionit thanë se do t'i ftonin këto vende, përfshirë edhe ambasadorin e Iranit, në ceremonitë e ndarjes së çmimeve të këtij viti, që mbahet në dhjetor, duke shtuar se me këtë vendim po synonte që të përfshinte edhe ata që nuk ndajnë të njëjta vlera me Çmimin Nobel.
Po një qëndrim i tillë nxiti reagime të forta nga udhëheqësit e disa partive politike suedeze që thanë se do të bojkotojnë ceremoninë.
Pas këtyre zhvillimeve, në një deklaratë të publikuar të shtunën (2 shtator) Fondacioni Nobel njoftoi se do t'i rikthehej qëndrimit që mbajti vitin e kaluar duke përjashtuar ambasadorët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit nga ceremonia.
Fituesit e çmimeve shpallen në fillim të muajit tetor dhe pesë nga gjashtë çmimet Nobel jepen në Stokholm çdo vit, përveç Çmimit Nobel për Paqen, i cili jepet në Oslo.