Lidhje

Mali i Zi, ligjvënësi amerikan Mike Turner vizitë në Podgoricë


Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan Mike Turner, u takua të shtunën me Presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviç.

Në takim u diskutua mbi sfidat lidhur me sigurinë me të cilat përballet rajoni, si dhe u vlerësuan marrëdhëniet e forta mes dy vendeve.

Zoti Turner tha se "Shtetet e Bashkuara e mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në BE" ndërsa "vlerësoi gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të vendit për ndërtimin e institucioneve demokratike në Mal të Zi”.

Po kështu zoti Turner vlerësoi përkushtimin e zyrtarëve malazezë ndaj partneritetit në kuadër të NATO-s si dhe ato që i quajti, qëndrime të forta kundër agresionin rus në Ukrainë.

Presidenti malazez Jakov Milatoviç e cilësoi zotin Turner një mik të madh të Malit të Zi dhe shtoi se takimi do t'i shërbejë forcimit të mëtejshëm të miqësisë mes SHBA-së dhe vendit të tij.

"Kam dërguar një mesazh të fortë se Mali i Zi mund të shndërrohet në një vend tek i cili SHBA-të mund të kenë shumë besim në këtë pjesë të botës", tha zoti Milatoviç.

Para Podgoricës, ligjvënësi amerikan zhvilloi vizita në Prishtinë dhe Beograd.

XS
SM
MD
LG