Lidhje

Borrell: Më 14 shtator takimi i radhës Kosovë – Serbi


Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel tha se më 14 shtator do të pres në Bruksel udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për një takim të nivelit të lartë.

Ai e paralajmëroi takimin në një konferencë më gazetarë në përfundim të një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, duke theksuar se në takim do të kërkohen zgjidhje për situatën aktuale ndërmjet të dyja vendeve.

Situata në veriun e Kosovës u tensionua nga fundi i muajit maj pasi grupe qytetarësh serbë u hodhën në protesta për të kundërshtuar dërgimin me polici në zyrat e tyre të kryetarëve shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Në fillim të muajit qershor Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja ndërsa ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës për mungesë të bashkërendimit lidhur me zhvillimet në veri.

Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG