Lidhje

Udhëzimi i ri, shpresë për njerëzit pa asnjë shtetësi që jetojnë në Amerikë


Zhvillimet gjeopolitike, siç janë luftërat apo shpërbërja e shteteve, si në rastin e rënies së Bashkimit Sovjetik, mund t’i lënë njerëzit pa shtet. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Aline Barros, mbi 200 mijë vetë në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë asnjë shtetësi.

Udhëzimi i ri, shpresë për njerëzit pa shtetësi që jetojnë në Amerikë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Karina Ambartsoumian-Clough që banon në Shtetet e Bashkuara, nuk është qytetare e asnjë shteti.

“Kam lindur në një shtet që nuk ekziston më,” thotë ajo.

Ajo është një nga rreth 218,000 persoma në Shtetet e Bashkuara, që nuk kanë shtetësi. Aktualisht, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare po përcakton udhëzime të reja për të qartësuar se çfarë nënkupton të jesh “pa shtet”, për çështjet e emigracionit.

“Kanë bërë një hap të madh përpara, për të njohur njerëzit si ne në këtë vend,” thotë ajo.

Ambartsoumian-Clough ka lindur në Odesa në Ukrainë, në vitin 1988.

“Unë jam fëmijë i një martese të prindërve me dy etni të ndryshme; jam gjysmë armene dhe gjysmë ukrainase, dhe kjo prejardhje ishte problematike. Babai im vihej në shënjestër për shkak të prejardhjes së tij etnike, në Odesa, në Ukrainë. Nëna ime humbi një shtatzëni në qytetin e babait tim, sepse e rrahën në rrugë,” rrëfen ajo.

Familja e saj u largua për në Kanada. Më vonë, në vitin 1996, ata erdhën në Shtetet e Bashkuara, ku kërkesa e tyre për azil u refuzua. Tashmë, Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë në vitin 1991, dhe Ukraina ishte shtet i pavarur.

“Shkuam tek Ambasada ukrainase për të marrë pasaporta dhe dokumente udhëtimi për t’u kthyer. Dhe, atëherë na thanë, ‘ne nuk ju njohim si shtetasit tanë.’

Në Shtetet e Bashkuara, njerëzit që nuk kanë shtet, nuk kanë dokumente ligjore apo të identifikimit për të dëshmuar se kush janë dhe nga vijnë. Ndonëse disa, siç është rasti i Karinës, mund të kenë një çertifikatë të pavlefshme të lindjes...

“E vetmja gjë që kisha në atë kohë për të dëshmuar se kush jam, ishte një çertifikatë e skaduar e lindjes nga një shtet që më nuk ekziston. Çertifikata ime sovjetike e lindjes, me një kopje të përkthimit të noterizuar. Kjo ishte gjithçka që kisha.”

Të tjerët nuk kanë asgjë. Dhe për shkak të mungesës së dokumenteve, e kanë të vështirë të gjejnë punë apo qoftë edhe një shtëpi për të jetuar.

“Jetojnë pezull. Por fizikisht, brenda SHBA-ve, dhe nuk ka kuptim që ne të mos gjejmë një zgjidhje,” thotë zonja Margaret Stock, avokate emigracioni.

Sipas njoftimit, Departamenti për Siguri Kombëtare, premton se do të ofrojë shembuj rreth informatave dhe dëshmive që mund t’u tregohen zyrtarëve të emigracionit për të ndihmuar njerëzit që nuk kanë shtet të sigurojnë dokumente, siç është karta e gjelbër amerikane.

“Me njerëzit që nuk kanë shtet, vazhdimisht hasim në probleme madhore, sepse ata thjesht nuk mund të dëshmojnë se përmbushin parimet për kartën e gjelbër ngase nuk mund të marrin dokumentet e nevojshme nga vendi i tyre,” thotë zonja Stock.

Por, njerëzit pa shtet nuk mund të dëbohen, sepse nuk kanë shtet se ku mund të kthehen.

Njëkohësisht, nuk ka ligj ndërkombëtar që i detyron njerëzit të kenë shtetësi në një vend të caktuar. Disa shtete ofrojnë shtetësinë nëse ke lindur aty. Disa shtete jo.

“Si përfundim, është shumë, shumë e mundur që njerëzit të mbesin pa shtet,” thotë zonja Stock.

Mbetet e paqartë nëse rregullat e reja amerikane do të lejojnë, që një pjesë e këtyre njerëzve të marrin dokumente identifikimi të lëshuara nga qeveria amerikane, apo autorizim për të punuar në këtë shtet.

Zonja Ambartsoumian-Clough shpreson që më në fund, udhëzimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare do të ndihmojë njerëzit e lënë pezull, si puna e saj.

XS
SM
MD
LG