Lidhje

Katër astronautë, nga katër vende, nisen drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor


Katër astronautë nga katër vende u nisën të shtunën drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Ata pritet të mbërrijnë në laboratorin orbital të anijes hapësinore SpaceX të dielën, duke zëvendësuar katër astronautë që ndodhen atje që nga muaji mars.

Astronautit të NASA-s iu bashkuan në këtë fluturim që ndodhi para agimit nga Qendra Hapësinore Kennedy, edhe tre astronautë nga Danimarka, Japonia dhe Rusia.

Ky shënon fluturimin e parë deri tani në SHBA, ku çdo vend i anijes hapësinore ishte i zënë nga një astronaut i një vendi tjetër. NASA përfshinte gjithmonë dy ose tre astronautë të saj në fluturimet me SpaceX.

"Ne jemi një ekip i bashkuar me një mision të përbashkët", tha pas mbërritjes në orbitë Jasmin Moghbeli, astronaut i NASA-s.

Nisja e anijes u vonua me një ditë për çështje teknike. Numërimi mbrapsht pothuajse u ndal sërish të shtunën pasi një rrjedhje e vogël karburanti u shfaq në sistemin shtytës të kapsulës. Megjithatë anija e nis pasi inxhinierët e SpaceX-it dolën në përfundimin se rrjedhja nuk do të përbënte asnjë kërcënim për ekuipazhin.

Një tjetër astronaut i NASA-s do të niset drejt stacionit nga Kazakistani, në mesin e muajit shtator bazuar në një marrëveshje shkëmbimi, së bashku me dy astronautë rusë. Deri tani SpaceX ka nisur tetë ekuipazhe për NASA-n.

XS
SM
MD
LG