Lidhje

Policia shqiptare djeg mijëra bimë narkotike dhe arreston disa kultivues e shpërndarës droge


Policia në operacion kundër bimëve narkotike
Policia në operacion kundër bimëve narkotike

Në Shqipëri, policia arrestoi sot në flagrancë tre persona në një fshat malor pranë Skraparit, që ruanin me armë dhe ujitnin 125 bimë narkotike cannabis sativa.

Babai dhe dy djemtë ruanin me tre armë gjahu pa leje bimët e kultivuara, të cilat policia i shkatërroi me djegie.

Forcat e rendit arrestuan edhe pronarin e tokës, ku ishin mbjellë bimët narkotike, i cili banonte në Durrës.

Këto arrestime të sotme janë vetëm një pjesë e operacioneve policore në terrene të vështira malore, që zgjedhin kultivuesit për të mbjellë bimët narkotike.

Në dy fshatra të Matit policia arrestoi tre persona si kultivues të narkotikëve si dhe shkatërroi me djegie mbi 340 bimë cannabis sativa, që u gjetën të mbjella atje dy ditë më parë.

Gjatë këtij operacioni disa-ditor policia shkatërroi mbi 1 mijë e 800 bimë narkotike si dhe arrestoi 6 autorë të kultivimit të këtyre bimëve.

Ndërsa në Tiranë policia arrestoi sot në flagrancë fare pranë qendrës së kryeqytetit katër shpërndarës të lëndëve narkotike të moshave 20 dhe 22 vjeç, me doza të përgatitura për shitje.

Më herët u arrestuan në flagrancë dy persona të tjerë, baba dhe djalë, për shitje të bimëve narkotike. Në Durrës po ashtu u arrestuan dy persona për shitje të cannabis sativa.

Policia shkatërroi javën e fundit 24 mijë e 220 bimë narkotike gjatë kontrolleve masive në Krujë, Shkodër, Lezhë dhe Tropojë, 29 kilogramë boçe cannabisi, si dhe arrestoi dy autorë të kultivimit.

Këto rezultate shënohen në vijim të punës policore kundër krimit të organizuar vendor dhe rajonal.

Policia shqiptare po bashkëpunon ngushtë edhe me vendet fqinje për të goditur grupet kriminale, që kultivojnë dhe trafikojnë bimë narkotike brenda dhe jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG