Në guidën turistike të qytetit të Shkodrës, përveç Muzeut Historik, Kalasë “Rozafa” apo Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, përfshihet edhe Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës. I hapur në mjediset e ish degës së punëve të brendshme të periudhës komuniste, ky muze, thotë Xheraldo Nikjari, është unikal në Shqipëri, pjesë e identitetit të qytetit më të persekutuar gjatë viteve të regjimit komunist.
“Është një muze tipologjik, që nuk gjendet në asnjë vend tjetër të Shqipërisë dhe, gjithashtu, ka një vlerë mjaft të madhe didaktike dhe pedagogjike për brezin e ri, për të mësuar çfarë realisht ka qenë komunizmi dhe cilat kanë qenë pasojat”.
Në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës janë ruajtur qelitë e ish të burgosurve, vendet e torturave dhe marrjes në hetuesi, por edhe vuajtjeve dhe qëndresës së elementëve antikomunistë të qytetit të Shkodrës. Në pavionin e dytë të muzeut janë ekspozuar fotot e qindra ish të burgosurve politikë si dhe të pushkatuarve gjatë viteve 1944 deri në vitin 1990, kur edhe u rrëzua komunizmi në Shqipëri.
“Shkodra ka patur një numër që i afrohet 3 mijë të burgosurve politikë, ka pasur të ekzekutuar, me ose pa gjyqe, 620 persona, ku 61 prej tyre kanë qenë klerikë të të gjitha feve”, thotë Xheraldo Nikjari i cili shton se në burgjet e shumta të qytetit, sipas kërkimeve, kanë vdekur, gjatë marrjes në pyetje apo torturave, 138 persona, kundërshtarë politikë të regjimit.
Muzeu është një nisëm lokale e 8 viteve më parë, por me përmasa kombëtare përsa i përket përmbajtjes dhe qëllimit të tij, çka e bën atë mjaft të vizitueshëm nga vendasit dhe të huajt, thotë përgjegjësi i Muzeut, Pjerin Mirdita, i cili shton se janë vetë qytetarët e Shkodrës konservuesit dhe pasuruesit më të mirë të muzeut.
“Muzeu është mishëruar me qytetin dhe të gjithë ne kontribuojmë për ta mbrojtur, pasi është identitar për vetë qytetin e Shkodrës. Në një të ardhme të afërt, muzeu besoj se, me ndihmën e Bashkisë së Shkodrës, do të ketë një projekt të ri”.
Si të gjithë muzetë, edhe Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër sjell pamje nga e kaluara, thotë Pjerin Mirdita, por nga një e kaluar që nuk duhet harruar për të mos u pësëritur.