Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se vendi i tij do të ndërmarrë veprime të forta si përgjigje ndaj një sulmi me raketë të ndërmarrë të shtunën nga Rusia, ndaj qytetit të Ukrainës, Chernihivit. Si pasojë 7 persona u vranë dhe rreth 150 të tjerë u plagosën.
“Jam i sigurt se ushtarët tanë do t'i përgjigjen Rusisë për këtë sulm terrorist. Përgjigjuni në mënyrë të prekshme”, tha zoti Zelenskyy në një fjalim të shpërndarë me video të publikuar mëngjezin e së dielës, në fund të një vizite në Suedi. Kjo është hera e parë që zoti Zelenskyy largohet nga vendi që nga pjesëmarrja në takimin e NATO-s në Lituani muajin e kaluar. Presidenti ukrainas tha se në mesin e viktimave ishte dhe një vajzë 6-vjeçare, e quajtur Sofia, ndërsa shtoi se mes të plagosurve, 15 ishin fëmijë.
Guvernatori i rajonit Chernihiv, Vyacheslav Chaus, tha të dielën se numri i përgjithshëm i personave të konfirmuar si të plagosur ishte rritur në 148.
Më në lindje, të dielën në mëngjes, forcat ruse bombarduan qytetin Kupiansk, duke plagosur rëndë një person, sipas guvernatorit rajonal të Kharkiv, Oleh Syniehubov. Më vonë gjatë ditës një person u vra si pasojë e sulmeve me granata ruse në Vovchansk, një qytet që ndodhet po në rajonin e Kharkivit, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës.
Të dielën zoti Zelenskyy mbërriti në Holandë, dy ditë pasi Kievi njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin dhënë miratimin që autoritetet holandeze dhe daneze t'i dorëzonin avionë luftarakë F-16 forca ajrore të Ukrainës.
Në një bazë ajrore ushtarake në qytetin jugor të Eindhoven-it, Kryeministri holandez Mark Rutte i tha zotit Zelenskyy se Holanda dhe Danimarka po angazhohen t'i dorëzojnë Kievit avionët luftarakë.
Por ai shtoi se kjo do të ndodhë pasi të plotësoheshin disa kushte, të cilat ai nuk i bëri publike.
Miratimi që Shtetet e Bashkuara dhanë të premten për Holandën dhe Danimarkën për t'i dorëzuar avionë të prodhimit amerikan F-16 Ukrainës, është parë si një nxitje e madhe për Kievin, edhe pse avionët mendohet se nuk do të kenë një ndikim të menjëhershëm në luftën pothuajse 18-mujore.
Ndërkohë në Rusi të dielën, Ministria e Mbrojtjes tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin parandaluar një sulm nga dy dronë, në rajonin e Belgorodit, që ndodhet në kufi me Ukrainën.