Lidhje

SHBA, Japoni, Australi, plane për stërvitje të përbashkëta në detin e Kinës Jugore


Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Australia kanë në plan të zhvillojnë këtë javë një stërvitje të përbashkët në Detin e Kinës Jugore, pranë pjesës perëndimore të Filipineve, njoftuan zyrtarë filipinas të sigurisë. Ata shtuan se stërvitjes janë një demonstrim force e synojnë të nënvizojnë përkushtimin e këtyre vendeve ndaj sundimit të ligjit në këtë rajon, pas qasjeve agresive, të dëshmuara së fundmi nga ana e Kinës, në ujërat e diskutueshëm.

Më 5 gusht, anijet e rojes bregdetare kineze përdorën ujë me presion kundër anijeve filipinase që po lundronin në këtë korridor, ku mosmarrëveshjet shihen prej kohësh si një pikë e mundshme për tensione mes SHBA-ve dhe Kinës në rajon. Roja bregdetare kineze pranoi se anijet e saj përdorën uje duke shtuar se Pekini do të vazhdojë të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin e tij territorial.

Stërvitja mes Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Australisë do të përfshijë tre aeroplanmbajtëse dhe helikopterë. Pas stërvitjeve në det të hapur komandantët e tyre do të takohen me homologët filipinas në Manila, thanë për 'Associated Press' dy zyrtarët filipinas që folën në kushte anonimiteti.

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dërgojnë në rajon aeroplanmbajtësen ‘USS America’, Japonia do të dërgojë një nga luftanijet e saj më të mëdha ‘JS Izumo’, ndërsa Marina Mbretërore australiane do të dërgojë ‘HMAS Canberra-n’, e cila mbart helikopterë. Zyrtarët filipinas thanë se stërvitja e përbashkët ishte planifikuar disa muaj më parë.

Filipinet nuk do të jenë pjesë e stërvitjeve të kësaj jave për shkak të kufizimeve logjistike ushtarake, por janë të hapura për të marrë pjesë në të ardhmen.

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Australia kanë shprehur mbështetjen e menjëhershme për Filipinet si dhe shqetësimin lidhur me veprimet e Kinës.

Pas incidentit të 5 gushtit, Uashingtoni ripërsëriti paralajmërimin se do të jetë i detyruar të mbrojë aleatin e tij e vjetër, nëse anijet civile apo trupat filipine sulmohen me armë zjarri në Detin e Kinës Jugore.

XS
SM
MD
LG