Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut i dhanë fund takimit të së premtes në vendpushimin presidencial “Camp David” pranë kryeqytetit amerikan. Në takimin e nivelit të lartë udhëheqësit theksuan forcimin e partneritetit të ri trepalësh, duke u zotuar për reagim të unifikuar ndaj një krize rajonale. Ndryshe nga takimet e tjera, udhëheqësit nënvizuan në mënyrë të qartë "sjelljen e rrezikshme dhe agresive" të Pekinit në Detin e Kinës Jugore
Takimi i së premtes, i organizuar nga Presidenti Joe Biden në vendpushimin “Camp David” pranë Uashingtonit, rezultoi në një sërë premtimesh në fushën e mbrojtjes nga Uashingtoni, Tokio dhe Seuli, përfshirë një angazhim për t'u konsultuar me njëri-tjetrin në rast të një krize rajonale.
“Do të kemi një komunikim të drejtpërdrejt për të ndarë informacionet dhe për të koordinuar përgjigjet tona sa herë që ka një krizë në rajon ose që ndikon tek vendet tona”, tha Presidenti Biden.
Për dallim nga takimet e kaluara, udhëheqësit theksuan në mënyrë të qartë "sjelljen e rrezikshme dhe agresive të Pekinit që mbështet pretendimet e paligjshme detare" në Detin e Kinës Jugore. Pekini pretendon sovranitet mbi pothuajse të gjitha ujërat.
“Po vazhdojnë përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar me forcë status quo-në në detet e Kinës Lindore dhe Jugore, ndërsa po bëhen gjithnjë e më të mëdha kërcënimet e Koresë së Veriut me armë bërthamore dhe raketa”, tha Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida.
Organet e zbulimit të Koresë së Jugut thonë se Pheniani po përgatitet për më shumë prova me raketa balistike ndërkontinentale, në shenjë proteste ndaj takimit.
“Çdo provokim apo sulm kundër cilitdo prej tre vendeve tona do të nxisë një proces vendimmarrjeje trepalëshe dhe solidariteti ynë do të bëhet edhe më i fortë dhe më i çeliktë”, tha Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol.
Takimi pranë Uashingtonit është cilësuar nga Pekini dhe Pheniani si lojë e Uashingtonit për të krijuar një "mini-NATO" në Azi.
“Rajoni i Azi-Paqësorit është një tokë premtuese për paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe zhvillim dhe nuk duhet të bëhet një terren dyluftimi për rivalitet gjeopolitik”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtëme të Kinës, Wang Wenbin.
Takimi në vendpushimin presidencial “Camp David” shënoi një moment historik në marrëdhëniet historikisht të ndërlikuara midis Seulit dhe ish-kolonizatorit të tij, Tokios. Takimi erdhi pas një diplomacie disa mujore për të lënë mënjanë të kaluarën dhe për t’u përqendruar tek sfidat e sigurisë reciproke.