Lidhje

Policët bastisin zyrat e një reviste në Kansas, organizatat për mbrojtjen e shtypit reagojnë ashpër


Kamerat e sigurisë xhiruan momentin kur policia bastisi zyrën e lajmeve të revistës javore dhe sekuestroi pajisjet e saj, në qytetin Marion, në Kansas.

Shtatë policë nga departamenti i policisë së qytetit Marion bastisën të premten zyrat e revistës “Marion County Record” si dhe shtëpinë e botuesit dhe bashkë-pronarit të revistës Eric Meyer.

“Morën një laptop dhe kompjuterin e nënës time nga shtëpia e saj dhe kompjuterin e nënkryetares së bashkisë nga shtëpia e saj. Ata morën telefonin tim personal, telefonin e nënkryetares dhe të dy gazetarëve tanë dhe nuk na thanë se kur do të na i kthejnë,” tha zoti Eric Meyer, botuesi i revistës "Marion County Record".

Urdhri i bastisjes lidhet me një përplasje ndërmjet revistës dhe Kari Newell, pronares së një restorani, që e akuzon revistën për shkelje të ligjeve të privatësisë.

Ajo thotë se gazetarët i kishin siguruar në mënyrë të jashtëligjshme të dhënat e saj personale.

Revista thotë se ka shfrytëzuar informacion të verifikuar nga regjistrat publik.

Një ditë pas bastisjes, zonja Joan, nëna 98 vjeçare e zotit Meyer, që ishte bashkë-pronare e revistës, vdiq. Djali i saj beson që stresi i shkaktuar nga bastisja i shkaktoi vdekjen nënës së tij.

Mbi 30 organizata të mediave kanë protestuar kundër veprimit të policisë, përmes një letre drejtuar Departamentit të policisë së qytetit Marion.

“Ka ligje që mbrojnë gazetarët nga një tejkalim i tillë skandaloz i kompetencave. Në shumicën e rasteve, kur gjërat arrijnë në këtë pikë, kur puna e gazetarëve dyshohet, gazetari, apo organizata mediatike, fillimisht duhet të thirret para gjyqit,” tha zonja Beth Francesco nga Instituti për Gazetari pranë Klubit Kombëtar të Shtypit.

Departamenti i policisë në Marion nuk iu përgjigj një kërkese të “Zërit të Amerikës” për koment. Por, në një postim në rrjete sociale, policia mbrojti veprimet e veta.

“Një bastisje e kësaj shkalle kundër revistës ‘Marion County Record’ është e pashembullt. Në rastin më të keq, është veprim jashtëzakonisht i rrallë. Është hera e parë që ndodhë në këtë formë. I tërë departamenti i policisë në Marion të Kansasit, u fut në zyrat e revistës dhe në shtëpinë e njërës nga pronaret, zonjës Joan Meyer," tha zoti Clayton Weimers, drejtor ekzekutiv i "Reporterëve pa Kufij" në Amerikë.

Bastisja ka shqetësuar avokatët e lirisë së medias në Shtetet e Bashkuara. Por, të dhënat tregojnë që ky nuk është incident i izoluar; kohët e fundit, në SHBA, ka pasur disa raste të tillash bastisjes dhe sekuestrimi.

“Taktika të tilla shpesh përdoren për të heshtur mediat dhe për t’i mbajtur qytetarët të painformuar se çfarë po ndodhë në komunitetet e tyre,” thotë zonja Francesco.

Zoti Meyer thotë se revista planifikon të padisë departamentin e policisë dhe mbase edhe të tjerë të përfshirë në këtë rast, duke e quajtur bastisjen shkelje kushtetuese të lirisë së medias, të garantuar me Amandamentin e Parë.

XS
SM
MD
LG