Një juri e madhe në shtetin amerikan të Xhorxhias akuzoi ish-presidentin Donald Trump dhe 18 të tjerë, në lidhje me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Trembëdhjetë akuzat kundër ish presidentit Trump, që u hapën të hënën vonë, përfshijnë shantazhin, shkeljen e betimit të tij, komplotin për të kryer falsifikim dhe për të paraqitur dokumente false, dhe vepra të tjera.
Në mesin e të akuzuarve së bashku me ish presidentin Trump janë edhe ish shefi i kabinetit të tij Mark Meadows, avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani dhe ish zyrtari i Departamentit të Drejtësisë, Jeffrey Clark.
Prokurorja e Qarkut Fulton Fani Willis, u tha gazetarëve se të akuzuarit ishin pjesë e një ndërmarrjeje kriminale në qark dhe gjetiu me synimin për të "përmbushur qëllimin e paligjshëm për t’i lejuar zotit Donald J. Trump të marr mandatin presidencial", që filloi në janar të vitit 2021.
Akuza ngre pretendime të shumta si pjesë e kësaj përpjekjeje të supozuar, duke përfshirë përpjekjen për të bindur ligjvënësit e Xhorxhias që të veprojnë kundër rezultatit të zgjedhjeve, të emërojnë një listë votuesish të kolegjit zgjedhor të favorshëm për zotin Trump dhe vjedhjen e të dhënave të votimeve.
"Të gjitha zgjedhjet në vendin tonë administrohen nga shtetet, të cilave u jepet përgjegjësia për të siguruar një proces të drejtë dhe një numërim të saktë të votave," tha prokurorja Willis. "Roli i shteteve në këtë proces është thelbësor për funksionimin e demokracisë sonë".
Zonja Willis tha se koha e gjykimit në këtë çështje është në diskrecionin e gjyqtarit të caktuar, por se zyra e saj do të propozonte që gjyqi të zhvillohet në gjashtë muajt e ardhshëm. Ajo tha gjithashtu se ndërsa juria e madhe lëshoi urdhra arresti për të akuzuarit, zyra e saj do t’i lejojë ata të paraqiten vullnetarisht deri në mesditën e 25 gushtit.
Fushata e ish presidentit nuk priti që akuzat të hapeshin përpara se të lëshonte një deklaratë duke e akuzuar prokuroren Willis si një "partizane të tërbuar" e cila ka vendosur kohën e hetimit të veprimeve të zotit Trump "në përpjekje për të ndërhyrë maksimalisht në garën presidenciale të 2024-ës dhe të dëmtojë fushatën dominuese të zotit Trump”.
Pas një hetimi 2.5 vjeçar, prokurorja Willis filloi të thërriste dëshmitarët para një jurie të madhe në Atlanta të hënën për të dëgjuar provat se si ish presidenti Trump dyshohet se u përpoq në mënyrë të paligjshme të përmbyste humbjen e tij të ngushtë përballë demokratit Joe Biden në Xhorxhia.
Zonja Willis u tha gazetarëve se vendimet e saj mbështeten në fakte dhe se ligji është "plotësisht jopartiak".
Akuza pasoi një hetim 2.5 vjeçar që buroi nga një telefonatë e regjistruar e zotit Trump në fillim të vitit 2021 me zyrtarët e zgjedhjeve në Xhorxhia, në të cilën ai dëgjohet duke kërkuar që t'i “gjenin” atij 11,780 vota, një më shumë se diferenca e fitores së presidentit Joe Biden në këtë shtet.
Në faqen e tij të mediave sociale "Truth", të hënën zoti Trump shkroi me shkronja të mëdha: "A do t'i tregojë dikush jurisë së madhe të qarkut Fulton se unë nuk i manipulova zgjedhjet. Në mesin e njerëzve që i manipuluan ato është mjerisht edhe Fani Willis, e cila në mënyrë tronditëse ka lejuar Atlantën të bëhet një nga qytetet më të rrezikshme në botë, nuk ka asnjë interes të shohë sasinë masive të provave në dispozicion, ose të zbulojë se cilët janë këta njerëz që kanë kryer këtë krim”.
Xhorxhia ishte një nga disa shtete ku zoti Trump humbi me rezultat të ngushtë dhe u përpoq pa sukses të përmbyste rezultatin, ndonëse dhjetëra gjyqtarë vendosën kundër pretendimeve të tij për mashtrime zgjedhore.
Edhe sot e kësaj dite, ai pretendon në mënyrë të rreme se parregullsitë zgjedhore i kushtuan një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që kryeson garën mes votuesve republikanë për emërimin si kandidat presidencial të partisë për zgjedhjet e vitit 2024.
Ish presidenti Trump është paditur gjithashtu në dy raste federale dhe një në shtetin e Nju Jorkut.
Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, ngarkoi zotin Trump në një aktakuzë prej katër pikash për mashtrim bashkë me gjashtë bashkëpunëtorë të paidentifikuar për të përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve kombëtare.
Prokurori Smith gjithashtu akuzoi zotin Trump në Florida për grumbullimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, ndërsa ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në fillim të vitit 2021.
Ndërsa në Nju Jork, zoti Trump është akuzuar për ndryshimin e të dhënave të biznesit, për të fshehur një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave për të rritur, para kandidimit të tij të suksesshëm për postin e presidentit në vitin 2016.
Ish presidenti Trump i ka mohuar akuzat në të gjitha rastet.