Lidhje

Havai, 93 të vdekur nga zjarret më vdekjeprurëse në SHBA në mbi 100 vjet


Ka shkuar në 93 numri i viktimave si pasojë e zjarreve në shtetin amerikan të Havait . Autoritetet thonë se këtë kanë qenë zjarret më vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara në mbi 100 vjet.

Disa banorë të qytetit tanimë të shkatërruar të Lahainas, janë rikthyer në lagjet tyre, ku kanë gjetur vetëm shtëpitë e shkatërruara.

Zyrtarët lokalë kanë njoftuar se 2200 objekte janë shkatërruar nga ajo që po vlerësohet si një nga katastrofat më të rënda të këtij shteti amerikan. Guvernatori i Havait, Josh Green, tha se dëmi materiale si pasojë e zjarreve ka shkuar në vlerën e afro 6 miliardë dollarëve.

Guvernatori i shtetit të Havait, Josh Green,tha se numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 90 ndërsa paralajmëroi se politikat për mbrojtjen e ishullit nga fatkeqësitë natyrore do të rishikohen.

Sipas tij, 2200 struktura janë shkatërruar apo dëmtuar nga zjarret në pjesën perëndimore të Mauit, 86% prej të cilave kanë qenë objekte banimi.

“Kjo është fatkeqësia më e madhe natyrore që kemi përjetuar ndonjëherë. Do të nevojitet gjithashtu një kohë jashtëzakonisht e gjatë për t’u rimëkëmbur nga kjo fatkeqësi ”, tha Guvernatori i Havait, Josh Green.

Ai u shpreh mirënjohës edhe për ndihmën që është zotuar të ofrojë Uashingtoni.

“Humbjet deri më tani i afrohen 6 miliardë dollarëve. Është një gjë e jashtëzakonshme të kemi këtë udhëheqje në Uashington. Presim që ata të fillojnë të shikojnë se si mund të rindërtojmë zonën e goditur dhe si të ndihmojmë njerëzit që kanë humbur pothuajse gjithçka”, tha zoti Green.

Ndërsa autoritetet po bëjnë vlerësimet rreth dëmit të shkaktuar, banorët e qytetit turistik Lahaina janë rikthyer në lagjet e tyre duke gjetur vetëm gërmadhat e shtëpive të djegura.

“Po përpiqem ende të kuptoj se çfarë ndodhi dhe nuk e di nëse do ta tejkaloj ndonjëherë këtë situatë. Kam humbur qytetin tim, shtëpinë time. Nuk dua të jem materialist, por këto janë gjëra që nuk mundem t’i zëvendësoj. Nuk e kam fjalën për orendi apo gjëra të tilla, por për gjëra personale. Kam humbur miq, gjithashtu. Ka njerëz që ende nuk i kam parë”, thotë Donnie Roxx, banor i qytetit Lahaina.

“Shtëpia jonë është shkatërruar plotësisht dhe komuniteti ynë është zhdukur. Humbja e komunitetit tonë është ajo që me të vërtetë dhemb më shumë”, thotë një banor tjetër që nuk u identifikua.

“Është një lagje e bukur, dhe njerëzit kanë humbur gjithçka, jo vetëm shtëpitë, por edhe bizneset dhe janë larguar vetëm me rrobat e tyre”, thotë një tjetër banore e Lahainas.

Ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet, është e paqartë se si morgjet do të jenë në gjendje të menaxhojnë situatën, duke patur parasysh se ka vetëm një spital dhe tre morgje.

Fati i qindra njerëzve nuk dihet ende.

Sipas guvernatorit Green, duke filluar nga kjo fundjavë, 500 dhoma hotelesh do të vihen në dispozicion për vendasit e zhvendosur dhe 500 të tjera do të ndahen për personelin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.

Rreth 30 kulla të telefonisë celulare ishin ende jashtë funksionit dhe ndërprerjet e energjisë elektrike pritet të zgjasin disa javë në perëndim të Mauit.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme të Havait, Anne Lopez do të kryejë një hetim gjithëpërfshirës të vendimmarrjes dhe politikave të zbatuara gjatë dhe pas zjarreve, tha ajo në një deklaratë të premten.

XS
SM
MD
LG