Lidhje

Kombëtarja amerikane për femra humb ndaj Suedisë, skualifikohet nga kampionati botëror  


Futbollistja suedeze, Lina Hurtig shënoi penalltinë e fundit duke siguruar fitoren e Suedisë
Futbollistja suedeze, Lina Hurtig shënoi penalltinë e fundit duke siguruar fitoren e Suedisë

Suedia fitoi të dielën ndaj Shteteve të Bashkuara 5-4 me penallti duke eliminuar kampionet në fuqi nga Kupa e Botës për femra. Ndeshja, që u mbajt në Stadiumin e Melburnit në Australi, përfundoi me rezultatin 0-0 në fund të kohës shtesë, të dielën.

Kjo është hera e parë që ekipi amerikan kthehet në shtëpi pa një medalje në Kupën e Botës për Femra.

Futbollistja suedeze, Lina Hurtig shënoi penalltinë e fundit, por fitorja u desh të konfirmohet nga pamjet filmike pasi nuk ishte e sigurt nëse topi tejkaloi vijën e portës.

Heroina e ndeshjes ishte portierja suedeze Zecira Musovic, e cila e mbrojti portën 11 herë nga sulmet e kombëtares amerikane gjatë lojës, duke e çuar praktikisht lojën drejt penalltive.

Ndeshja u dominua nga ekipi amerikan deri në minutën e 85-të kur zëvendësuesja suedeze Sofia Jakobsson u fut në lojë, duke arritur të rrezikojë porten amerikane të pakten njëherë.

Futbollistja e njohur amerikane, Megan Rapinoe u aktivizua në lojë duke zëvendësuar sulmuesen Alex Morgan në minutin e nëntë të kohës shtesë, por nuk arriti të ndryshojë rezultatin. Ajo gjithashtu humbi një nga penalltitë për ekipin e saj.

Suedia tani do të përballet me ekipin e Japonisë në ndeshjen e çerekfinales, ndërsa Spanja përballet me Hollanden. Këto ndeshje mbahen të enjten më 10 gusht.

Ndeshjet e tjera eliminatore mes Anglisë dhe Nigerisë, Australisë me Danimarkën, Kolumbisë me Xhamajken dhe ndeshja në mes të Francës dhe Marokut pritet të mbahen të hënën.

Gjysmëfinalet e Kupës së Botës në futbollin për femra të organizuar nga FIFA në Australi dhe Zelanden e Re do të mbahen më 15 gusht, njëra në Aukland të Zelandes së Re dhe tjetra në Stadiumin Australia të Sidnejit.

Në këtë fundit, më 20 gusht, mbahet edhe ndeshja finale.

XS
SM
MD
LG