Ukraina thotë se dronët e saj kanë goditur një port të madh rus dhe kanë dëmtuar një anije luftarake në një sulm që nënvizon aftësitë në rritje të Kievit ndërsa Deti i Zi po bëhet një fushëbetejë gjithnjë e më e rëndësishme në luftë.
Shërbimi i Sigurisë dhe marina e Ukrainës kryen sulmin që dëmtoi anijen e marinës ruse “Olenegorsky Gornyak”, sipas një zyrtari të shërbimit të sigurisë. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se sulmi e bëri anijen të paaftë për të kryer misione luftarake.
Sulmi në Novorossiysk shënon herën e parë që një port tregtar rus është vënë në shënjestër në konfliktin gati 18-mujor. Në këtë port të Detit të Zi gjendet një bazë detare, një kantier ndërtimi anijesh dhe një terminal nafte dhe ai luan rol kyç për eksportet.
Porti shtrihet rreth 110 kilometra në lindje të Krimesë, ku Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se pengoi një tjetër sulm gjatë natës.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, pas sulmit të fundit tha se “dronët po ndryshojnë kahjen e luftës ... dhe po shkatërrojnë vlerën e flotës ruse”.
Marina e Rusisë ka kontrolluar detet deri më tani. Anijet e saj kanë lëshuar rregullisht raketa në portet dhe qytetet kryesore anembanë Ukrainës dhe ato kanë bllokuar kryesisht bregdetin e vendit, si dhe kanë minuar Detin e Zi, duke e bërë kalimin përmes tij të rrezikshëm. Deklarata e zotit Podolyak dhe sulmet e tjera në det dhe në urën e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë mund të tregojnë se Ukraina po përpiqet ta ndryshojë këtë dinamikë.
Me sulmin e fundit, “Kievi tregoi se mund të sulmojë çdo anije të Flotës së Detit të Zi, pa marrë parasysh distancën”, thotë analisti ushtarak ukrainas Roman Svytan.
Fundi i marrëveshjes së grurit, sipas së cilës anijeve që transportonin ushqime nga portet e Ukrainës u premtohej kalim i sigurt, “i zgjidhi duart e Kievit”, tha ai, duke parashikuar se frekuenca e sulmeve ndaj anijeve ruse vetëm do të rritet.
Ndërsa sulmi i së premtes shërbeu si një nxitës i rëndësishëm moral për Ukrainën, sfidimi i fuqisë detare të Rusisë në Detin e Zi do të jetë i vështirë për Ukrainën.
Flota ruse e Detit të Zi ka gati 50 anije luftarake dhe shtatë nëndetëse së bashku me një numër të madh anijesh mbështetëse. Kievi tha se humbi më shumë se 80% të aftësive të saj detare pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska.
Pavarësisht epërsisë së Rusisë, vitin e kaluar raketat ukrainase fundosën anijen kryesore të flotës ruse Moskva, dhe shkatërruan gjithashtu aeroplanmbajtësen Saratov në portin e pushtuar të Berdyanskut. Raportohet se disa të tjera po ashtu janë dëmtuar.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se marina e frenoi sulmin e së premtes, duke thënë se anijet e saj shkatërruan dy dronë ukrainas. Pamjet e publikuara në profilet e rrjeteve sociale ruse duket se tregojnë një anije që hapte zjarr dhe një objekt që digjej pas shpërthimit.
Por pamje të tjera që u shfaqën në kanalet e aplikacioneve të mesazheve thuhet se tregonin anijen Olenegorsky Gornyak duke anuar nga njëri krah dhe disa blogerë ushtarakë rusë konfirmuan se ajo ishte dëmtuar. Mediat ukrainase transmetuan gjithashtu pamje filmike që ata thanë se ishin filmuar nga kamera e një droni që tregonte atë duke iu afruar anijes ruse.
Agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ nuk mundi të verifikonte videot.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov refuzoi të komentojë mbi sulmin gjatë një konference me gazetarët që u realizua përmes telefonit.
Pak minuta pasi konfirmoi sulmin në portin e Detit të Zi të premten në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte zmbrapsur gjithashtu një sulm tjetër nga Ukraina në Krime. Ministria tha se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 10 dronë dhe bllokuan tre të tjerë.
Videot e shpërndara në kanalet e mediave sociale ruse që thuhet se janë nga zona e qytetit të Feodosias dukej se tregonin sistemet e mbrojtjes ajrore ruse në përdorim e sipër, si dhe shpërthime të forta.