Lidhje

A ka Pakistani problem me borxhin kinez?


AP
AP

Pakistani dhe Kina po shënojnë dhjetëvjetorin e krijimit të Korridorit Ekonomik mes të dy vendeve, pjesë qendrore e Nismës një Brez një Rrugë, të Pekinit. Projekti investues tashmë ka kapur shifrën 60 miliardë dollarëve dhe ka pajisur Pakistanin me infrastrukturë qenësore, por po ashtu ka rënduar borxhin shumë të madh të vendit.

Ceremoni të veçanta, një monedhë rasti dhe pullë postare, pritje me nderimet më të larta me rastin e vizitës së zëvendës-kryeministrit kinez, janë disa nga mënyrat se si dy shtetet po festojnë një dekadë të Korridorit Ekonomik ndërmjet Kinës dhe Pakistanit, pjesë e të ashtuquajturës Nisma një Brez një Rrugë.

“Mendoj se ishte një vendim shumë i rëndësishëm. Dhe ishte rezultat i vizionit, përkushtimit dhe miqësisë,” thotë Kryeministri i Pakistanit, zoti Shehbaz Sharif.

“Është shembull i besimit të përbashkët dhe zhvillimit të ndërsjellë,” thotë zoti He Lifeng, zëvendëskryeministër i Kinës.

Qeveritë e dy vendeve thonë se Kina deri më tani ka investuar rreth 25 miliardë dollarë në projektin e filluar në vitin 2013 për të rigjallëruar ekonominë e Pakistanit dhe për të krijuar një treg të ri për bizneset kineze.

“Në atë periudhë, kishim shumë raste terrorizmi. Kishte shumë trazira dhe Pakistani nuk konsiderohej si vend ku duhet investuar. Dhe në atë kohë, Kina i besoi Pakistanit,” thotë zoti Mustafa Hyder Sayed nga Instituti Pakistano-Kinez.

Qeveria e Pakistanit thotë se përmes Korridorit Ekonomik ndërmjet Kinës dhe Pakistanit janë krijuar 200,000 vende pune, janë ndërtuar mbi 1,400 kilometra autostrada dhe rrugë dhe janë shtuar 8,000 megavatë energji elektrike në rrjetin e vendit. Në 18 muajt e fundit, në portin e Gwadarit, në pjesën jugperëndimore të vendit, janë shkarkuar 600, 000 tonë mallra.

Por, vëzhguesit thonë se Korridori Ekonomik nuk e transformoi ekonominë e vendit dhe boxhet e Pakistanit ndaj Kinës, zënë një të tretën e borxhit të madh të jashtëm të Pakistanit.

“Shumë nga kjo infrastrukturë kishte një kosto mjaft të lartë dhe një pjesë e madhe e huamarrjes është bërë në dollarë dhe me kosto më të lartë se kushtet e tregut. Për shkak të kësaj, Pakistani ka vazhduar të bëjë pagesa të mëdha në dollarë për borxhet që i ka Kinës. Prandaj ne vazhdojmë të kemi kriza të vazhdueshme buxhetore dhe probleme serioze me borxhin,” thotë ekonomisti Ammar Habib Khan.

Por zoti Khan, si shumë të tjerë në Pakistan, e mohojnë idenë se huamarrja nga Kina përbën problem. Në vend të kësaj, ai fajëson Islamabadin për keqmenaxhimin e burimeve.

Pekini, gjithashtu, i mohon akuzat e Uashingtonit, se Kina po i fut në kurth shtetet përmes borxhit të maskuar si investim.

Zoti Sayed thotë se Pakistani ka mjaft hapësirë për vendimmarrje në projektet e Korridorit Ekonomik përmes Komitetit të përbashkët për Koordinim, ku janë të përfshirë zyrtarë kinezë dhe pakistanezë.

“Përshtypja se Kina po hyn në treg përmes veprimeve grabitqare financiare, që po dobëson shtetin mikrpritës dhe po fiton ndikim politik, është e pabazuar,” thotë zoti Sayed.

Ai shton se Pakistani zgjodhi zhvillimin dhe jo borxhin.

“Zgjidhja që kishim përpara ishte të ndërtonin termocentral, apo të mbesnim pa rrymë 12 deri në 15 orë në ditë. Prandaj po, Korridori Ekonomik i dha Pakistanit bazën e nevojshme infrastrukturore, që nevojitet për rritjen industriale. Ndërkohë, shtetet perëndimore nuk ishin në gjendje ta ofrojnë këtë gjë për shumë vite,” thotë zoti Khan.

Një raport i vitit 2021, nga platforma hulumtuese ‘AidData’ me bazë në Amerikë, gjeti që Kina shpenzoi mbi tetë herë më shumë në Pakistan, se sa Shtetet e Bashkuara. Huatë kineze janë të orientuara në infrastrukturën e burimeve fizike, ndërkohë që SHBA-të shpenzojnë më shumë për qeverisjen dhe infrastrukturën shoqërore, sipas raportit.

Ekspertët thonë se për të lehtësuar barrën e borxhit nga Korridori Ekonomik mes Kinës dhe Pakistanit, Pakistani duhet të përdorë me efikasitet energjinë elektrike dhe infrastrukturën, që e siguroi përmes këtij projekti madhor dhe të shtojë prodhimet vendore dhe eksportet.

XS
SM
MD
LG