Lidhje

Shtetet e Bashkuara sanksionojnë katër zyrtarë në Bosnjë për dëmtimin e marrëveshjes së Dejtonit


Departamenti amerikan i Thesarit shpalli të hënën sanksionimin e katër zyrtarëve të Bosnjës për dëmtimin e marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës së viteve të 90-ta.

Në një njoftim të këtij departamenti thuhet se një zyrtar të nivelit shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe tre zyrtarë qeveritarë nga Republika Serbe, janë drejtpërdrejt përgjegjës për inkurajimin e miratimit të një ligji nga Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe që synon t’i shpallë të pazbatueshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në entitetin serb, duke penguar dhe kërcënuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

“Ky veprim kërcënon qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës dhe paqen e arritur me vështirësi të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej përparimin e vendit dhe integrimin e suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Departamentit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës në përpjekjet e tij për të ruajtur sundimin e ligjit dhe për të siguruar që paqja dhe përparimi të mbizotërojë”.

Në njoftimin e departamentit thuhet se presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, i cili është sanksionuar në janar të vitit 2022 dhe në vitin 2017 për pengim të Marrëveshjes së Dejtonit, sponsorizoi ligjin mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në entitetin e udhëhequr prej tij.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë ushtroi autoritetin e tij më 1 korrik për të anuluar legjislacionin, duke e dënuar publikisht ligjin si dëmtues të rendit kushtetues rajonal, sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve. Pavarësisht veprimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik e nënshkroi ligjin që hyri në fuqi më 7 korrik të vitit 2023.

Departamenti shënjestëroi në vendimin e sotëm Radovan Viskoviçin, kryeministër i Republikës Serbe, Nenad Stevandiçin, kryetar i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, Zhelka Cvijanoviçin anëtare e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Milosh Bukejloviçin, ministër i Drejtësisë në Republikën Serbe si përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose përfshirje në një shkelje ose një akt që ka penguar ose kërcënuar zbatimin e çdo marrëveshjeje rajonale të sigurisë, paqes, bashkëpunimit lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.

XS
SM
MD
LG