Lidhje

Shkup, BDI dorëheqje me kushte nga qeveria


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka bërë të ditur sot se ministrat e partisë së tij japin dorëheqje nga postet qeveritare, por ai e kushtëzon hyrjen në fuqi të këtyre dorëheqjeve me votimin e ndryshimeve të kushtetutës nga partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.

Zoti Ahmeti, njoftimin e ka bërë në Facebook, duke iu drejtuar Kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski për arësyet lidhur me këtë vendim të papritur.

Drejtuesi i partisë së dytë më të madhe në koalicionin qeveritar, Ali Ahmeti shkruan se Maqedonia e Veriut gjendet në një fazë kritike të së ardhmes evropiane; se vendimet e mëdha, sipas tij kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore, ndërsa BDI-ja është e përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik mbetet interesi më madhor i të gjithë qytetarëve të vendit.

Partia shqiptare vlerëson se ndryshimet kushtetuese janë rruga e vetme e vazhdimit drejt integrimit Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për të arritur numrin e nevojshëm prej dy të tretës së votave në parlament, duhet të votojë edhe VMRO-ja e opozitës.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja kërkon që dorëheqjet e ministrave të BDI-së të jenë të parevokueshme dhe të organizohen zgjedhje të shpejta parlamentare.

“Mirë që BDI-ja pas 20 vjetësh në pushtet po përgatitet të shkojë në opozitë prej nga do të mund të përgjigjet për kriminalitetin”, reagon opozita maqedonase, e cila vetëm para pak javësh e vuri si kusht votimin e rishikimit të kushtetutës me largimin e BDI-së nga qeveria, teksa ajo ngul këmbë tani për zgjedhje të parakohshme.

Edhe partia Alternativa vlerëson se BDI-ja po përiqet ta shpërqendrojë opininin publik nga “njollat e korruptive dhe politike”.

Parlamenti i vendit pritet të fillojë seancën plenare më 18 gusht për ndryshimet e paralajmëruara.

Maqedonia e Veriut ka një afat deri në nëntor që të miratojë këto ndryshime, përkatësisht të përfshijë pakicën bullgare në kushtetutë, në mënyrë që të vazhdojë fazën e dytë të bisedimeve me Bashkimin Evropian për integrim në këtë Bllok.
XS
SM
MD
LG