Lulzim Basha fitoi zgjedhjet për postin e kryetarit të Partisë Demokratike përballë kandidatit Gjergj Hani.
Komisioni zgjedhor i partisë deklaroi fitues kandidatin Basha, i cili mori 16 mijë nga mbi 18 mijë vota, që u hodhën nga anëtarësia prej 25 mijë vetësh të regjistruar për procesin e sotëm.
Kryetari i saporizgjedhur në drejtimin e Partisë Demokratike deklaroi para mediave se demokratët do t’i kthehen shpejt detyrës për të mbrojtur interesin publik, ndërsa qytetarët janë në depresion ekonomik e psikologjik dhe presin ndryshim.
“Partia Demokratike ka shumë sfida përpara, si dhe lumenj mosbesimi, disa prej të cilëve të sponsorizuar nga ata që e duan Shqipërinë pa liri dhe pa pabarazi përpara ligjit”, tha zoti Basha.
Këto zgjedhje për kryetar u mbajtën në një klimë paqartësish, tensionesh dhe përçarje brenda Partisë Demokratike, ku kryesia e partisë po replikon me sekretarin e përgjithshëm të saj, ndërsa grupi parlamentar është i ndarë në qëndrime.
Kandidati Hani, një ish i përndjekur politik, u bëri thirrje anëtarëve të partisë për pjesëmarrje masive në votime, si një e drejtë dhe një mjet demokratik për të kërkuar llogari partisë më pas. Ai shprehu besimin se ky proces zgjedhor do të sjellë një PD ndryshe.
Kandidati Basha tha se pjesëmarrja masive e demokratëve në këto zgjedhje tregon vendosmërinë e tyre për ringritjen e Partisë Demokratike në shërbim të shqiptarëve, pasi ata kanë përjetar sulme dhe padrejtësi të mëdha,
Për zotin Hani ky ishte kandidimi i parë për një post të lartë në parti, ndërsa zoti Basha kishte dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, por së fundi rikandidoi për t’u rizgjedhur kryetar i partisë.
Për zotin Basha ky është mandati i katërt në 10 vjet për të drejtuar Partinë Demokratike.
Lulzim Basha u zgjodh kryetar i partisë në verën 2013 pas një gare me kandidatin Sokol Olldashi, sapo Partia Demokratike humbi zgjedhjet e përgjithshme dhe kaloi në opozitë.
Zoti Basha u rizgjodh kryetar i partisë për një mandat të dytë në verën 2017 përballë ish kryetarit Eduard Selami, sapo Partia Demokratike humbi zgjedhjet sërish.
Ai u rizgjodh kryetar i partisë për një mandat të tretë në verën 2021, përballë disa kandidatëve, Harxhi, Kadilli, Shehaj, sapo Partia Demokratike humbi sërish zgjedhjet në pranverën e atij viti.
Ndërsa Partia Socialiste është në mesin e mandatit të saj tretë në pushtet, demokratët e opozitës ende janë të përfshirë në debate pro dhe kundër ish kryeministrit Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA-të për korrupsion dhe cënim të demokracisë.
Mbetet për t’u parë se çfarë rrjedhash do të marrin zhvillimet brenda Partisë Demokratike pas rizgjedhjes në krye të Partisë Demokratike të zotit Basha, i cili përjashtoi zotin Berisha nga grupi parlamentar pas shpalljes non grata nga SHBA-të, duke deklaruar se në strukturat e kësaj partie nuk ka vend për asnjë non grata të shpallur nga aleati strategjik i Shqipërisë.