Më shumë se 1,000 anëtarë të personelit të shërbimit amerikan ndodhen në Niger për të luftuar kërcënimin në rritje nga grupe të ndryshme ekstremiste. Tani fati i operacioneve ushtarake amerikane është në pikëpyetje, pas grushtit të shtetit të së mërkurës. Nigeri kishte arritur të shmangte puçet ushtarake, që kanë destabilizuan fqinjët e tij të Afrikës Perëndimore në vitet e fundit. Ai shihej si partneri i fundit i madh që qëndron në një rajon ku grupi ushtarak privat rus Wagner ka zgjeruar operacionet. Shefi i Wagnerit e cilësoi grushtin e shtetit si "fitore të pavarësisë". Tani pritet më shumë pasiguri në rajonin e gjerë të Sahelit, që shtrihet poshtë shkretëtirës së Saharasë.
Çfarë do të thotë kjo për sigurinë rajonale?
Duke sinjalizuar rëndësinë e Nigerit në rajonin ku vepron edhe Wagner-i, Sekretari amerikan i Shtetit i Antony Blinken zhvilloi një vizitë në mars për të forcuar lidhjet dhe për të njoftuar 150 milionë dollarë ndihma të drejtpërdrejta, duke e quajtur vendin "një model demokracie".
Një pyetje kritike është nëse Nigeri mund të ndryshojë drejtim dhe angazhojë Wagnerin si një partner kundër terrorizmit, siç kanë bërë fqinjët e tij Mali dhe Burkina Faso, që dëbuan forcat franceze. Franca zhvendosi më shumë se 1000 anëtarë personeli në Niger pasi u tërhoq nga Mali vitin e kaluar.
Shefi i Wagner-it Yevgeny Prigozhin tha në një deklaratë të enjten se, "ajo që ndodhi në Niger është pasqyrë e luftës së popullit kundër kolonizatorëve. ... Në mënyrë efektive do të thotë të fitosh pavarësinë. Pjesa tjetër do të varet nga populli i Nigerit”.
Qindra njerëz u mblodhën të enjten në kryeqytetin Niamey, dhe brohoritën në mbështetje të Wagner-it ndërsa valëvitnin flamuj rusë.
Qeveria e Nigerit ka qenë "mjaft e hapur në aspektin e dialogut dhe angazhimit të partnerëve të brendshëm, ashtu edhe atyre ndërkombëtarë," tha Paul Melly, hulumtues për programin e Afrikës në qendrën ‘Chatham House’ në Londër. "Kështu që shumë gjëra janë në rrezik”.
Nigeri ka qenë bazë e operacioneve ushtarake ndërkombëtare për vite me rradhë, pasi ekstremistët islamikë kanë zgjeruar shtrirjen e tyre në Sahel. Këtu përfshihet Boko Harami në Nigerinë fqinje dhe në Çad. Por kërcënimi më i menjëhershëm vjen nga rritja e aktivitetit të Shtetit Islamik në zonat kufitare të Nigerit me Malin dhe Burkina Fason dhe filiali i al-Kaidës Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin i njohur si JNIM.
Ndërkohë, shpenzimet ushtarake të Nigerit arritën në 202 milionë dollarë në vitin 2021.
Çfarë po ndodh me përpjekjet kundër terrorizmit?
Partnerët e Shteteve të Bashkuara, që luftojnë ekstremistët në Sahel po pakësohen. Veçanërisht, junta ushtarake e Malit muajin e kaluar urdhëroi që misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara prej 15,000 trupash të largohej, duke pretenduar se ata kishin dështuar në misionin e tyre. Megjithatë, forcat e Wagner-it mbeten atje, të akuzuara nga organizatat e të drejtave të njeriut për mizori.
Shtetet e Bashkuara thanë në fillim të vitit 2021 se i kishin ofruar Nigerit më shumë se 500 milionë dollarë ndihma ushtarake dhe programe trajnimi, që nga viti 2012, një nga programet më të mëdha të mbështetjes në Afrikën nën-Sahariane. Bashkimi Evropian në fillim të këtij viti nisi një mision trajnimi ushtarak prej 30 milionë dollarësh në Niger.
Shtetet e Bashkuara kanë operuar dronë nga një bazë e ndërtuar në veriun e largët të Nigerit si pjesë e përpjekjeve kundër terrorizmit në rajonin Sahel. Fati i kësaj baze dhe i bazave të tjera operacionale të SHBA-së në këtë vend pas grushtit të shtetit të kësaj jave, nuk dihet.
“Është shumë herët të spekulohet për ndonjë veprim, apo aktivitet të mundshëm në të ardhmen”, tha në një email një zëdhënës i Komandës amerikane për Afrikën, John Manley. Ai tha se rreth 1,100 anëtarë të personelit amerikan janë në Niger.
Nigeri ishte vendi i një prej ngjarjeve më vdekjeprurëse për forcat amerikane në Afrikë në vitet e fundit, ku një pritë nga ekstremistët në vitin 2017 la të vrarë katër ushtarë amerikanë. Sulmi ngriti përsëri pyetje nga disa kritikë në Uashington se përse Shtetet e Bashkuara duhet të angazhoheshin në kontinent.
Sa i rrezikshëm është ekstremizmi në rajon?
Vëzhguesit thonë se rajoni i Sahelit në Afrikën Perëndimore është bërë një nga rajonet më vdekjeprurëse në botë për ekstremizmin. Afrika Perëndimore regjistroi mbi 1,800 sulme ekstremiste në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke rezultuar në gati 4,600 vdekje, tha një zyrtar i lartë rajonal në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtë javë.
Shumica e këtyre vdekjeve ndodhën në Burkina Faso dhe Mali, ndërsa vetëm 77 në Niger, sipas Omar Touray-t, presidenti i Komisionit ECOWAS, krahu ekzekutiv i bllokut ekonomik të Afrikës Perëndimore. Vëzhguesit kanë paralajmëruar se kërcënimi ekstremist po zgjerohet gjithashtu në jug drejt shteteve si Gana dhe Bregu i Fildishtë.
Grushti i shtetit në Niger sjell akoma më shumë pasiguri. “Ne jemi dëshmitarë se i gjithë brezi në jug të Saharës, po bëhet një zonë jashtëzakonisht problematike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
Nigeri është një nga vendet më të varfra në botë, që po lufton me ndryshimet klimatike së bashku me migrantët nga e gjithë Afrika Perëndimore, që përpiqen të bëjnë rrugën e tyre përtej Saharasë drejt Evropës. Vendi ka marrë miliona euro investime nga BE-ja në përpjekjet për të frenuar migrimin nëpërmjet kontrabandistëve.