UASHINGTON (AP) - Presidenti Joe Biden tha se nisma e parë e përqendruar te kanceri e Agjencisë së tij të Avancuar të Kërkimit Shëndetësor është në "një moment historik të rëndësishëm në luftën për t'i dhënë fund kancerit siç e njohim". Kjo nismë synon të ndihmojë mjekët të dallojnë më lehtë mes qelizave kancerogjene dhe indeve të shëndetshme gjatë operacioneve që do të mund të përmirësojnë jetën e pacientit.
Agjencia e Projekteve Kërkimore të Avancuara për Shëndetin, ose ARPA-H, po fillon një program të ndërhyrjeve kirurgjikale të sakta, duke kërkuar ide nga sektori publik dhe privat për të eksploruar se si të përmirësohen në mënyrë dramatike rezultatet e luftës ndaj kancerit në dekadat e ardhshme duke zhvilluar ndërhyrje më të mira kirurgjikale për të trajtuar sëmundjen.
Nisma mund të përmirësojë dukshëm trajtimet e kancerit dhe të sjellë përparime shkencore që kanë aplikime ende të panjohura, tha Arati Prabhakar, drejtori i Zyrës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë.
"Shumë trajtime të kancerit ende fillojnë me operacionin. Pra, zhvillimi i teknologjisë së re për ta bërë atë hap të parë më të saktë, mund të revolucionarizojë me të vërtetë mënyrën se si ne do të jemi në gjendje ta trajtojmë kancerin”.
Agjencia do të organizojë një konferencë në Çikago në shtator për studiuesit e interesuar. Kjo është pjesë e përpjekjes së Presidentit Biden për "luftën ndaj kancerit", e cila u miratua me mbështetje dypartiake.