Lidhje

Ushtria e Nigerit mbështet rrëzimin e Presidentit të vendit


Supporters of mutinous soldiers demonstrate in Niamey, Niger, on July 27 2023.
Supporters of mutinous soldiers demonstrate in Niamey, Niger, on July 27 2023.

Udhëheqësit e ushtrisë së Nigerit deklaruan mbështetjen e tyre për përmbysjen e presidentit Mohamed Bazoum të mërkurën, duke sfiduar thirrjet nga jashtë për të respektuar sundimin e ligjit dhe rendin demokratik të vendit.

Vendndodhja e zotit Bazoum mbeti e paqartë të enjten, një ditë pasi një grup ushtarësh nga garda presidenciale e ndaluan atë në pallatin presidencial dhe më vonë njoftuan rrëzimin e tij në televizionin shtetëror.

Ushtria, përmes një deklarate të lëshuar në mediat sociale, tha se kishte vendosur të mbështeste grushtin e shtetit për të parandaluar "një konfrontim vdekjeprurës" që mund të çonte në një "gjakderdhje të madhe" në Niger.

Rrugët e kryeqytetit, Niamei, vazhdojnë të jenë të qeta. Shërbimi në gjuhën frënge i Zërit të Amerikës për Afrikën ka njoftuar se një grup demonstruesish u mblodhën të enjten për të mbështetur juntën e re ushtarake. Disa prej tyre valëvitën flamujt e Nigerit dhe Rusisë.

Duke folur me gazetarët në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u kërkoi udhëheqësve të grushtit të shtetit të kthenin në pushtet Presidentin Bazoum, i cili është zgjedhur në mënyrë demokratike.

“Lironi Presidentin Bazoum menjëherë dhe pa kushte. Mos e pengoni qeverisjen demokratike të vendit dhe respektoni sundimin e ligjit”, tha ai.

Zoti Guterres shprehu shqetësimin për paqëndrueshmërinë që po godet Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.

Anëtarët e gardës presidenciale që morën pushtetin sugjeruan se pasiguria në Niger ishte një nga arsye për veprimet e tyre.

"Ne, forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë vendosëm t'i japim fund regjimit", tha koloneli Amadou Abdramane. Deklarata e tij përmendi "gjendjen e përkeqësuar të sigurisë dhe qeverisjen e keqe".

Kolonel Abdramane tha se të gjitha institucionet e republikës janë pezulluar, kufijtë e vendit janë mbyllur dhe është shpallur një shtetrrethim mbarëkombëtar.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u tha gazetarëve të enjten në Zelandën e Re se ai kishte folur me zotin Bazoum dhe "e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin me vendosmëri atë si presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Nigerit".

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, ka dënuar ngjarjet në Niger dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve të grushtit të shtetit të lirojnë presidentin "menjëherë dhe pa asnjë kusht".

Grushti i shtetit u dënua edhe nga Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Faki Mahamat dhe Franca, e cila ka rreth 1500 ushtarë në Niger që ndihmojnë qeverinë të luftojë militantët islamikë.

Abdoul Aziz Garba Birimaka, këshilltar special për sigurinë i Presidentit të Nigerit tha për Zërin e Amerikës se pyetja kryesore është se çfarë çoi në tentativën për grusht shtet.

“Në të vërtetë, kjo është pyetja: Çfarë na çoi në këtë ekstrem? Çfarë po ndodh? Pse? Si mund të kishte ndodhur e gjithë kjo pa asnjë dyshim pasi mësuam se dikush që ka për detyrë të mbrojë vendin tani po na kontrollon (kundër vullnetit tonë)”, tha zoti Birimaka. "Këto janë shumë pyetje që mbeten pa përgjigje për momentin."

Nigeri është një nga vendet më të paqëndrueshme të rajonit të Afrikës Perëndimore. Ky është grushtshteti i pestë ushtarak që nga shpallja e pavarësisë së vendit nga Franca në vitin 1960.

Michael Shurkin, ekspert në Këshillin Atlantik, i tha Zërit të Amerikës se “Presidenti Bazoum ka qenë një nga udhëheqësit më efektivë në rajon. Ai po vepronte sipas standarteve, duke bërë të gjitha gjërat e duhura në drejtim të përpjekjes për t'u marrë me problemet e mëdha të vendit. Ai po punonte në mënyrë efektive me shumë partnerë perëndimorë të Nigerit në fushën e sigurisë, duke përfshirë Francën dhe Shtetet e Bashkuara."

Ai tha: “Grushti i shtetit po largon nga rajoni një zyrtar civil të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një udhëheqës efektiv. Kjo është gjithashtu një goditje e madhe për Perëndimin, i cili e kishte kthyer vëmdenjen nga Nigeri në përpjekjet e fundit për t'i trajtuar problemet në Sahel, ku situata po përkeqësohej."

Gazetarët e Zërit të Amerikës Karol Van Dam Falk, Margaret Besheer dhe shërbimi në gjuhën frënge i Zërit të Amerikës për Afrikën kontribuan në këtë raportim. Disa informacione u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG